Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

EULEX-i e mbështetë Ministrinë e Drejtësisë për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në shërbimet korrektuese

30 nëntor 2016

EULEX-i shfrytëzon rastin që edhe një herë t’u shprehë ngushëllime familjes dhe miqve të Astrit DEHARIT, i cili vdiq derisa ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Vdekja e një të riu në këto rrethana është me të vërtetë një tragjedi.

Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve.

Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti. Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm.  EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë.

Megjithatë, gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera.

Menjëherë pas këtij incidenti, Ministrja e Drejtësisë e angazhoi EULEX-in për ofrimin e mbështetjes në lidhje me mësimet e nxjerra dhe për përfshirjen e atyre mësimeve në agjendën aktuale të reformave më të gjera në shërbimin korrektues. Ministrja Hoxha kërkoi prej agjencive që t’i paraqesin të gjeturat e tyre, gjë që ato edhe e kanë bërë.

EULEX-i e përshëndetë theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim.