Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerFjala e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të...

Fjala e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të EULEX-it me rastin e njëzetvjetorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës

05 dhjetor 2019

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të EULEX-it, Cezary Luba, ishte i pranishëm në ceremoninë zyrtare për shënimin e njëzetvjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), gjatë së cilës EULEX-it iu nda një plaketë në shenjë mirënjohje për partneritetin dhe bashkëpunimin e ofruar.

Me rastin e këtij përvjetori, Ushtruesi i Detyrës së Shefit të EULEX-it e përcolli këtë porosi:

“Dëshiroj ta uroj SHKK-në me rastin e njëzetvjetorit të themelimit. Shërbimi Korrektues që e shohim sot në Kosovë është rezultat i ndihmës së vlefshme të dhënë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in, kontributi i të cilit në punën e SHKK është vlerësuar gjatë ceremonisë zyrtare të shënimit të njëzetvjetorit të themelimit.

Që nga viti 2008, EULEX-i ka punuar krah për krah me SHKK për profesionalizimin e këtij shërbimi. Si rezultat, SHKK-ja ka shënuar përparim në fushën e administrimit të burgjeve, fushën e operimeve dhe të menaxhimit të sigurisë, trajtimit të burgosurve me rrezikshmëri të lartë dhe atyre të profilit të lartë, përcjelljen e të burgosurve dhe sigurinë në gjykata.

SHKK, në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e EULEX-it dhe një sërë organizatash kosovare jo-qeveritare, institucione të vendit dhe organizata ndërkombëtare e themeluan ‘Shoqatën e grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës’, e cila ka për qëllim avancimin e pozitës së grave brenda SHKK dhe ofrimin e ndihmës për punonjëset drejt avancimit të tyre në karrierë dhe arritjes së potencialeve të tyre të plota. EULEX-i është i përkushtuar që të vazhdojë ta ndihmojë SHKK-në për mbështetjen e këtyre përpjekjeve përmes organizimit të trajnimeve përkatëse të orientuara për oficeret femra.

Si rezultat i përparimit të arritur, SHKK vazhdimisht ka marrë përsipër përgjegjësi shtesë me tërheqjen graduale të EULEX-it. Për shembull, proceset e punësimit në SHKK kanë shënuar përmirësim – trend ky që shpresojmë të vazhdojë. Në këtë drejtim, përpjekjet e SHKK për zhvillimin e një ekipi profesional të drejtuesve të lartë do të vazhdojnë të mbështeten nga EULEX-i përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, si dhe me anë të ndihmës dhënë SHKK-së për fuqizimin e kapaciteteve për luftimin e ndërhyrjeve dhe trajtimit preferencial të burgosurve.

SHKK-së i uroj shumë suksese drejt përmbushjes së misionit të tyre dhe pres që bashkëpunimi mes SHKK-së dhe EULEX-it të vazhdojë edhe në të ardhmen.”
 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media