Lajme

Shefi i EULEX-it i dorëzoi një donacion Qendrës Mjekësore në Leposaviq për ta përmirësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor

25 shkurt 2020

Më 21 shkurt, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark i dorëzoi një donacion në vlerë prej 67,000 euro Qendrës Mjekësore të Leposaviqit.
 
Ky donacion, i përbërë nga një automjet, pajisje mjekësore për sallat e urgjencës dhe ordinanca, si dhe pajisje të TI-së dhe të zyrës, do t’i ndihmojnë personelit të Qendrës Mjekësore në Leposaviq që ta përmirësojë ofrimin e kujdesit shëndetësor.
 
"EULEX-i ka punuar për shumë vite tashmë në Kosovë. Tani jemi këtu kryesisht në një rol mbështetës, duke e konsoliduar partneritetin afatgjatë. Këtë mund ta bëjmë më së miri në nivelin lokal sepse vetëm atëherë kur qytetarët i shohin ndryshimet reale në jetën e tyre të përditshme ata mund ta vlerësojnë punën tonë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen njerëzit këtu në sferat e ekonomisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, por unë jam i kënaqur që ju keni një klinikë të re këtu dhe që ne si Bashkim Evropian mund t’ju ndihmojmë juve në këtë mënyrë konkrete", tha Wigemark.

Drejtoresha e Qendrës Mjekësore në Leposaviq, Ljiljana Vukadinovic, e falënderoi EULEX-in për këtë donacion dhe shtoi: "Ky donacion do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët e Qendrës Shëndetësore, dhe sigurisht që do të ketë një efekt pozitiv në ofrimin e shërbimeve për pacientët tanë. Ky do të jetë një përfitim për të gjithë komunitetin. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen".

Ky është donacioni i dytë që EULEX-i i ka bërë këtij komuniteti në Leposaviq. I pari u bë në gusht 2019, kur EULEX-i i dorëzoi automjete dhe pajisje Njësisë së Zjarrfikësve në Leposaviq. Ky donacion i fundit është pjesë e mbështetjes më të gjerë të këtij Misioni për partnerët e komunitetit lokal në Kosovë.