Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailer“Institucionet shëndetësore të Kosovës kanë...

“Institucionet shëndetësore të Kosovës kanë nevojë për ndihmën tonë në këto kohë të vështira” – tha Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark për donacionin e dhënë Qendrës Mjekësore në Shtërpcë

22 dhjetor 2020

Më 17 dhjetor 2020, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë i bëri një donacion të konsiderueshëm prej dyzet e një artikujve jetikë Qendrës Mjekësore të Shtërpcës.

Monitorë për pacientë, komplete të pajisjeve për rastet e traumave, defibrilatorë, kompjuterë, printerë, si dhe ndoshta më të rëndësishmet në rrethanat aktuale, frigoriferë për ruajtjen e vaksinave dhe ilaçeve të tjera.

“Këto janë kohë të vështira, veçanërisht për institucionet e kujdesit shëndetësor kudo nëpër Kosovë, prandaj kjo është mënyra jonë për të ndarë së bashku mjetet që i kemi. Më herët gjatë këtij viti ne i kemi bërë donacion edhe kujdesit shëndetësor në Leposaviq”, deklaroi me këtë rast Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Qendra Mjekësore e Shtërpcës ka pasur bashkëpunim të mirë me organizatat ndërkombëtare gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë edhe me EULEX-in. Dr. Sasa Krsticic, Drejtor i Qendrës Mjekësore të Shtërpcës theksoi: “Për ne që jetojmë dhe punojmë këtu, çdo ndihmë që na e japin organizatat ndërkombëtare është e mirëseardhur. Përvoja na ka mësuar se bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare është në interes të qytetarëve dhe pacientëve këtu”.

Ky donacion është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të këtij Misioni për të siguruar mbështetje konkrete për institucionet e Kosovës gjatë pandemisë me COVID-19 krahas punës së tij të përditshme me institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë. Gjatë disa muajve të fundit, Misioni ka dhuruar pajisje gjithashtu për komunat e Prishtinës dhe Mitrovicës së Jugut, si dhe për dy shkolla fillore në rajonin e Prishtinës.

Pas kësaj ceremonie të donacionit, Shefi i EULEX-it Wigemark e takoi Nënkryetarin e Komunës së Shtërpcës, Ivica Tanasijevic, me të cilin diskutoi potencialet e tanishme ekonomike të kësaj komune, problemet me të cilat përballen banorët e saj, veçanërisht gjatë pandemisë, si dhe për masat që janë duke u zbatuar në luftën kundër koronavirusit. 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media