Lajme

Njësia Korrektuese e EULEX-it organizon punëtori për stafin korrektues në lidhje me menaxhimin e të burgosurve me probleme shëndetësore mendore

24 shkurt

Më 23 shkurt, Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një punëtori në lidhje me menaxhimin e të burgosurve me probleme shëndetësore mendore. Kjo punëtori u mbajt me tetë zyrtarë korrektuestë Qendrës Korrektuese të Dubravës. 

Pas identifikimit të shtimit të numrit të të burgosurve me probleme shëndetësore mendore në Kosovë, këshilltarja korrektuese e EULEX-it Linda Salenmo dhe monitoruesi korrektues i Misionit Dirk Stubbe e zhvilluan këtë punëtori për t’iu ndihmuar zyrtarëve korrektues të Kosovës në punën e tyre me të burgosur të cilët përballen me probleme mendore dhe për t’i pajisur ata me njohuri dhe shkathtësi rreth njohjes së sjelljeve devijuese si dhe reagimit ndaj atyre sjelljeve.

Udhëheqësi i ekipit të instruktorëve dhe trajnimeve në Qendrën Korrektese të Dubravës, Ismet Fekaj, shprehi falënderimin e tij për këtë trajnim sepse – siç tha ai – numri i të burgosurve në Dubravë është në ngritje e sipër, përfshirë ata me probleme shëndetësore mendore. “Kjo punëtori do të jetë shumë e dobishme për zyrtarët korrektues këtu në këtë qendër. Trajnimi mbi menaxhimin e të burgosurve me probleme shëndetësore mendore ishte paraparë në planin tonë të trajnimeve për vitin 2021. Ne presim që njohuritë e fituara gjatë këtij trajnimi t’i përcjellim tek njësitë e tjera si dhe të trajnojnë më shumë staf,” tha Fekaj, i cili po ashtu e falënderoi EULEX-in për përkushtimin dhe mbështetjen.

 Sipas Dirk Stubbe, është shumë e rëndësishme që zyrtarët korrektues të Kosovës t’i kenë këto njohuri: “Zyrtarët korrektues tëKosovës kanë shumë përvojë, por kur kemi të bëjmë me trajtimin e të burgosurve me probleme shëndetësore mendore, atëherë nevojiten trajnime shtesë.”

Kjo punëtori do të organizohet në të gjitha institucionet korrektuese të Kosovës si dhe në repartin e psikiatrisë forenzike tëQendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në qendrën e vlerësimit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë. Këto punëtori pritet t’i vijojnë rreth 220 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.