Lajme

Arti në rrugë – për çdokënd

29 qershor 2015

Muret e hirta prej betoni që e rrethojnë njërin kompleks të EULEX-it në dalje të Prishtinës në drejtim të Fushë Kosovës u shndërruan në tablo pikturimi. Dy artistë lokal i dhanë jetë këtij projekti të artit në rrugë. 

Këtë projekt e menaxhoi Anja Schneider nga Njësia e Shefit të Logjistikës të EULEX-it. Ajo i sqaron arsyet për të:  “Këto mure nuk duken shumë mirë, prandaj ne vendosëm që t’i angazhojmë artistët lokalë që të krijojnë koncepte të artit në rrugë ashtu që t’i bëjnë këto mure të duken më të bukura. Unë besoj se njerëzve do u pëlqejë kjo dhe se do ta preferojnë atë krahasuar me pamjen e mureve të mëdha të hirta. Ky është arti i artistëve lokalë!”

EULEX-i e sponsorizoi këtë si një mundësi të caktuar për artistët lokalë që ta shprehin vetveten në 924 metra katror, dhe kështu ta ndajnë atë me çdokënd. 

“Ne donim që t’i kombinojmë dy qëllime këtu, që t’u japim mundësi studentëve të artit që ta krijojnë artin e tyre dhe që ta bëjmë këtë hapësirë publike të duket shumë më e bukur, sqaron Anja. 

Labinot Haxholli dhe Qëndrim Morina, studentë të Akademisë së Arteve të Prishtinës e paraqitën idenë e evolucionit të qytetit, nga xhungla në qytete, nga ruralja në urbane, nga dita në natë. 

“Kjo qe një mundësi e madhe për ne, në Kosovë nuk mund ta gjesh lehtë një tablo pikturimi kaq të madhe prej 924 metrash katror për ta shprehur veten,” sqaron Qëndrimi, njëri prej krijuesve të projektit të artit të rrugës dhe menaxher i faqes së “Kosovo Street Art” në Facebook.  “Unë lirisht mund të them se ky ishte njëri prej projekteve më të mëdha të artit në rrugë në Kosovë dhe më vjen mirë që ne ishim pjesë e tij. Kjo është shumë më mirë se sa ta kishim një ekspozitë të mbyllur për të cilën duhet t’u dërgosh ftesa mysafirëve, ky lloj i artit është për çdokënd, çdokush mund ta shohë atë,” sqaron Qëndrimi. 

“Ideja e evolucionit prej rurales në urbane, prej xhunglës në qytet, gjatë gjithë ditës dhe natës, duke e përdorë një varg ngjyrash të ndryshme ishte koncepti prapa saj dhe shpresoj se ne e kemi bërë një punë të mirë, “thotë Labinoti. 

Kompleksi për mbështetje i EULEX-it ndodhet në dalje të Prishtinës drejt Fushë Kosovës.