Lajme

#FieldVision: Në Kosovë, shërimi i plagëve të luftës është një detyrë e përditshme

14 shkurt 2022

“Përcaktimi i fatit të personave të zhdukur është një detyrë komplekse, e vështirë dhe shpesh shumë e ndjeshme. Por, ne jemi të përkushtuar si Mision për ta mbështetur të drejtën themelore të anëtarëve të familjeve për të ditur se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”, shpjegon Lars-Gunnar Wigemark në një shkrim për përvojën e tij si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

 “Për të mbetur një partner i besueshëm dhe i sinqertë për homologët e tij të sundimit të ligjit në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, i njohur më mirë si EULEX, kaloi nëpër një metamorfozë gjatë tre viteve të fundit. Ai është një Mision civil i shumë anshëm i CSDP-së me shumë përgjegjësi magjepsëse dhe të veçanta. Ndër to është edhe puna e EULEX-it për ta mbështetur kërkimin e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë”.

Kur u bëra pjesë e Misionit në janar 2020, fillimisht nuk e kisha kuptuar plotësisht shkallën e shtrirjes së punës së këtij Misioni dhe ndikimin e saj në jetën e njerëzve të rëndomtë. Një shembull konkret i vlerës së shtuar të mandatit të Misionit u bë i qartë për mua në mesin e nëntorit 2020 kur mësova se pas vitesh pune të palodhur dhe falë përdorimit të pamjeve ajrore, ekspertët tanë, së bashku me kolegët e tyre nga Instituti i Kosovës për Mjekësi Ligjore, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) dhe Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur i zbuluan mbetjet njerëzore në Kizevak, një gurore e madhe në Serbinë jugore.

Njëzet e një vite pas luftës në Kosovë, familjet e këtyre personave të zhdukur më në fund do ta dinë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Njëzet e një vjet është një kohë e gjatë, një kohë shumë e gjatë për një prind, partner apo një i afërm të përballet me të panjohurën. Fatkeqësisht, kjo nuk është e pazakontë në Ballkanin Perëndimor. Në Bosnje dhe Hercegovinë, ku kam shërbyer më parë si Përfaqësues Special i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së, familjet e rreth 6500 personave të zhdukur janë ende në pritje të përgjigjeve, njësoj si në Kosovë ku janë më shumë se 1600 persona të zhdukur.

Kërkimi i të zhdukurve pas një konflikti të armatosur është një proces i dhimbshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë. Çështja e personave të zhdukur është një nga trashëgimitë më të rënda të luftërave në ish-Jugosllavi. 

Gjatë konflikteve të shumta në të gjithë rajonin, trupat shpesh fshiheshin qëllimisht për t’i fshehur provat dhe për të siguruar mosndëshkimin e fajtorëve. Ndërsa përpiqej të më shpjegonte se sa e vështirë është të gjesh persona të zhdukur që ndonjëherë varrosen në varreza të zakonshme për t’i maskuar krimet e luftës, kolegu im Javier më dha një shembull: “Nëse dua ta fsheh një libër dhe të sigurohem që të jetë shumë e vështirë për këdo që ta gjejë atë, gjithçka që duhet të bëj është të hyj në një bibliotekë, ta vendos librin në ndonjërin raft dhe pastaj të largohem. Për ta gjetur këtë libër të caktuar, duhet kërkuar raft pas rafti, duke kontrolluar kudo, gjë që do të merr shumë kohë. Për këtë është kaq e vështirë ndonjëherë është që ta gjesh një person të zhdukur të varrosur në një varrezë”.

Unë krenohem me faktin se përkundër shumë vështirësive, ekspertët e Misionit tonë i kanë kryer rreth 680 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke rezultuar deri më tani në identifikimin e 332 personave të zhdukur. Ekspertët tanë të mjekësisë ligjore janë shumë aktivë këtu në Kosovë. Dhe përkundër pandemisë që ende po vazhdon, stafi ynë ka vazhduar të jetë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, duke punuar krah për krah me homologët vendas dhe duke ndarë njohuritë e tyre me ta. Këto njohuri dhe kjo ekspertizë mund të fitohet vetëm përmes punës së palodhur, përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në çdo hap të këtij procesi.

Megjithatë, ne si BE duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë progres në çështjen e personave të zhdukur. Kjo është një e drejtë themelore e njeriut. Të afërmit kanë të drejtë ta dinë se çfarë ka ndodhur, kurse autoritetet përkatëse kudo kanë një detyrim ndërkombëtar dhe ligjor që të bëjnë gjithçka që ato munden. Dallimet politike dhe lojërat e fajësimit duhet të lihen mënjanë për ta zgjidhur fatin e të gjithë personave të zhdukur, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike apo fetare. Për të bërë më shumë përparim dhe për ta përcaktuar fatin e të zhdukurve, duhet të ketë vullnet nga të gjitha anët për të ndarë informacionin, për të ecur përpara dhe për t’i zgjidhur të gjitha rastet që kanë mbetur të hapura, pavarësisht vështirësive dhe dallimeve të njohura.

Si mision civil i CSDP-së, EULEX-i është këtu për të ndihmuar dhe mbështetur. Por drejtësia tranzicionale është një proces që mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse është në pronësi të përbashkët të gjitha palëve. Ai kërkon angazhim dhe vullnet për të bashkëpunuar dhe ndarë të gjithë informacionin në dispozicion. Familjet e të zhdukurve kanë të drejtë të marrin përgjigjet që meritojnë.

Mendoj se flas në emër të gjithë pjesëtarëve të stafit tonë kur them se Ekipi i Mjekësisë Ligjore i Misionit tonë në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës nuk është vetëm një njësi në kuadër të EULEX-it. Puna e tyre nuk është e rëndësishme vetëm për vetë Misionin, por mbi të gjitha për njerëzit, jeta e të cilëve ka ndryshuar përgjithmonë pasi humbën ndonjë prej më të dashurve të tyre. Të mos dish se çfarë ka ndodhur me fëmijën, partnerin, prindin ose të afërmin tënd është torturuese, prandaj puna jonë është e fokusuar në dhënien e përgjigjeve.

Familjet dhe miqtë e të pagjeturve nga lufta në Kosovë apo kudo tjetër në ish-Jugosllavi e meritojnë së paku këtë”.

Lars-Gunnar Wigemark

Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)

Mandati i EULEX-it me pak fjalë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) punon krah për krah me institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës për ta arritur një qëllim të përbashkët: forcimin e kapaciteteve të Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e saj për të drejtat e njeriut duke e bërë sistemin e drejtësisë së Kosovës më të qasshëm dhe më të drejtë për të gjithë, duke e rritur besimin e qytetarëve në institucionet e sundimit të ligjit.

EULEX-i filloi punën në vitin 2008 si misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian. EULEX-i është duke i mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane. Ky Mision ka një mandat të gjerë që mbulon shumë fusha si: monitorimi i sistemit të drejtësisë dhe atij korrektues, lehtësimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese të dialogut Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke vepruar si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë pas Policisë së Kosovës dhe para KFOR-it të NATO-s, menaxhimin e një programi të mbetur për mbrojtjen e dëshmitarëve, lehtësimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it dhe Serbisë, si dhe asistimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operative. Në përputhje me mandatin aktual të tij, ky Mision do të vazhdojë të punojë krah për krah me institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës për ta arritur një qëllim të përbashkët: ta bëjë sistemin e drejtësisë të Kosovës të qasshëm për të gjithë dhe të besueshëm për qytetarët.

Lars-Gunnar Wigemark e mori detyrën në janar 2020.

Heqje përgjegjësie: Ky shkrim i “FieldVision” u botua fillimisht në anglisht në faqen e internetit të EEAS.