Lajme

EULEX-i trajnon zëdhënës dhe zyrtarë për media të institucioneve kosovare të sundimit të ligjit në fushën e komunikimit digjital dhe gazetarisë mobile

09 qershor 2022

Nga data 8 deri më 9 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një punëtori dyditore me temën “Gazetaria mobile dhe komunikimi me gazetarë” për 16 zëdhënës dhe zyrtarë për media nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Ministria e Drejtësisë,dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Trajnimi kishte për qëllim që pjesëmarrësit të përfitojnë shkathtësi teorike dhe praktike të komunikimit digjital të kërkuara për krijimin e mënyrave më të lehta dhe më të shpejta të informimit dhe komunikimit me qytetarët, duke iu ndihmuar kështu institucioneve të Kosovës të rrisin transparencën dhe shtrirjen e tyre dhe të shfaqin më mirë rezultatet e punës së tyre dhe ndikimin pozitiv për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Eksperti për gazetarinë mobile, Lorin Kadiu, u shpjegoi pjesëmarrësve rëndësinë e shtrirjes tek audiencat e ndryshme të synuara jo vetëm përmes kanaleve tradicionale, por edhe duke përdorur rrjetet sociale dhe platformat digjitale.

Sesionet e Kadiut u fokusuan në fotografinë, raportimet vizuale dhe editimin e videove dhe fotografive, me theks të veçantë në përdorimin e telefonave të mençur dhe aplikacioneve mobile për krijimin e përmbajtjes së shpejtë dhe interesante. EULEX-i iu dhuroi telefona të mençur të rinj dhe pajisje të TI-së - si mikrofona, gjimbalë dhe tripodë - institucioneve të sundimit të ligjit që ishin pjesë e trajnimit për t’u siguruar që ato të mund të mësojnë nga praktika dhe të fillojnë të krijojnë përmbajtjen e tyre të parë multimediale gjatë punëtorisë.

“Këto dy ditë kemi punuar intensivisht që të kalojmë nëpër të gjitha fazat e prodhimit dhe të marrim njohuritë e nevojshme në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të fillojnë menjëherë punën dhe të krijojnë produktet e tyre të komunikimit”, tha Kadiu.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit mësuan edhe për praktikat më të mira në komunikimin me media nga Kreshnik Gashi, gazetar kosovar me përvojë.

“Në ditët e sotme, teknologjia informatike ofron mjete të reja, më të lehta dhe më të shpejta për shpërndarjen e lajmit. Fatkeqësisht, këto teknologji të reja përdoren gjerësisht nga ata që përhapin dezinformata dhe kronika të dëmshme”, tha Gashi, duke shtuar se: “Është e domosdoshme që njerëzit që punojnë në fushën e komunikimit me qytetarë të mund të luftojnë dezinformimin e qytetarëve me ndihmën e aktiviteteve të komunikimit me kohë dhe transparente.”

Shefja e Sektorit për informim, komunikim dhe analizë në Policinë e Kosovës, Luljeta Mehmeti, foli për rëndësinë e kësaj punëtorie.

“Ky trajnim jo vetëm që më ka pajisur me shkathtësi teknike të reja për përdorimin e pajisjeve digjitale për prodhimin e përmbajtjes multimediale mobile, por unë gjithashtu besoj se do të më ndihmojë të promovoj vlerat e Policisë së Kosovës duke i komunikuar publikut histori të suksesit”, tha ajo.