Lajme

EULEX-i organizoi punëtorinë e parë për zhvillimin e karrierës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës

15 korrik

Nga data 12 deri më 14 korrik, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, ka organizuar Punëtorinë e parë për Zhvillimin e Karrierës, e cila u ka ofruar studentëve dhe ish-studentëve të Universitetit të Prishtinës aftësitë dhe njohuritë përkatëse të nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës në mënyrë që ta planifikojnë karrierën e tyre me organizatat ndërkombëtare.

Kjo punëtori, e mbajtur në Fakultetin Filozofik, u organizua në partneritet me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Gjatë këtij seminari, 16 pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë për atë se si ta fillojnë apo të avancojnë në karrierën e tyre. Përveç kësaj, ata mësuan aftësi shumë praktike, të tilla si: si t’i kuptojnë përshkrimet e vendeve të punës, si të shkruajnë rezyme dhe letra motivimi, dhe si të përgatiten për të kryer intervista të bazuara në kompetencë kur aplikojnë për një vend pune në organizatat ndërkombëtare.

Në ditën e dytë të punëtorisë, në selinë e tij në Prishtinë, EULEX-i i priti Prorektorin për Zhvillim dhe Cilësi të Universitetit të Prishtinës, Elton Bahtiri, përfaqësues të burimeve njerëzore nga organizatat partnere dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë. Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark , i përshëndeti të gjithë duke e ndarë përvojën e tij personale në rrugën e karrierës, nga të qenit student deri në diplomat.

Duke folur për angazhimin e Misionit në organizimin e kësaj iniciative, Shefja e Divizionit të Burimeve Njerëzore të EULEX-it, Anita Janassary, tha: “Ne kemi shfrytëzuar mundësinë për të përcjellë përvoja, njohuri dhe ekspertizë të veçantë tek studentët universitarë dhe të sapo diplomuar të Kosovës, për t'u ndihmuar atyre që të bëhen më të suksesshëm kur aplikojnë për pozita në organizatat ndërkombëtare brenda dhe jashtë Kosovës”.

Një nga pjesëmarrësit dhe student aktual i Fakultetit Filozofik, Lundrim Sadiku , e vlerësoi këtë mundësi mësimore si një përvojë shumë të dobishme. “Unë kam fituar njohuri jo vetëm për organizatat ndërkombëtare, por edhe për sektorin privat”, ka thënë Sadiku .