Lajme

EULEX-i vazhdon të mbështesë Institutin e Mjekësisë Ligjore

15 shtator

Më 15 shtator, në Prishtinë u organizua një eveniment i vizibilitetit si dëshmi për mbështetjen që BE-ja ofron për shërbimet e mjekësisë ligjore në Kosovë.

Kjo fushë e ekspertizës ka qenë një prej prioriteteve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) gjatë 13 viteve të fundit, me fokus të veçantë në një prej pasojave më të rënda të luftës së Kosovës dhe periudhës pas saj, që është personat e zhdukur dhe e drejta e familjarëve të tyre për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre.

Gjatë këtij evenimenti, Shefi i Misionit, Lars-Gunnar Wigemark, ritheksoi se ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it do të vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e varreve të mundshme klandestine dhe identifikimin e viktimave të ndërlidhura me luftën e Kosovës dhe periudhën pas saj.

Që nga viti 2008, EULEX-i ka kryer mbi 700 operacione në teren dhe ka identifikuar 332 persona të zhdukur. Që nga viti i kaluar, ekspertët e EULEX-it janë duke punuar edhe në rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës, proces ky i bashkërenduar nga një grup punues i udhëhequr nga IML-ja dhe i bazuar në strategjinë dhe planin e veprimit 2021-2023.

“Si EULEX puna jonë nuk ka përfunduar, ne kemi 1621 arsye për të mos ndaluar,"  tha Wigemark, duke shtuar se Misioni po ashtu është duke e mbështetur grupin punues për hartimin e Protokollit për veprat e dhunës seksuale. Pasi të jetë miratuar, ky protokoll do të standardizojë shërbimet që viktimat e dhunës seksuale duhet të marrin dhe do të fasilitojë bashkërendimin e të gjithë ofruesve të shërbimeve.

Deri më sot, Bashkimi Evropian ka investuar rreth 3 milion Euro për shërbimet e mjekësisë ligjore në Kosovë, të cilat janë thelbësore për gjyqësor funksional dhe sistem të fuqishëm të sundimit të ligjit, që të dyja këto parakusht për integrim evropian.