Lajme

Shefi i EULEX-it flet gjatë një konference mbi qasjen në dokumente publike

27 shtator

Më 27 shtator, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, iu bashkua Komisioneres së Agjencisë së Kosovës për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva-Dërmaku, dhe Zëvendëskryetarit të pare të Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, në një konferencë të organizuar nga IPA mbi rëndësinë dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nga gjyqësori dhe prokuroria.

“E drejta për qasje në dokumente publike i takon secilit pa dallim. Nuk duhet të ketë diskriminim, qoftë ai i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, për sa i përket asaj se kush nga publiku, shoqëria civile apo mediat duhet të marrin dokumente publike,” tha Wigemark, duke e rikujtuar parimin e gjykimeve publike.

Shefi i EULEX-it po ashtu përmendi tri elemente të kësaj çështje themelore: transparenca, llogaridhënia, dhe proaktiviteti: “Transparenca nënkupton që shqyrtimet gjyqësore, me disa përjashtime të kufizuara, janë të hapura për publikun. Kjo lloj e qasjes në gjykime i mundëson publikut dhe mediave të kuptojnë se si bëhet ndarja e drejtësisë nëpër gjykata dhe nga gjyqësori,” shpjegoi Wigemark, duke shtuar se: “Duke e pasur parasysh rëndësinë e sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet t’i konsiderojnë veprimet e tyre dhe të jenë të hapur për shqyrtim publik, ndërsa institucionet publike duhet që në mënyrë proaktive të publikojnë dokumentet publike, përfshirë aktgjykimet e gjykimeve, në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.”

Prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit, Agron Qalaj, theksoi zotimin për të qenë transparent duke prezantuar njëkohësisht sfidat që dalin nga nevoja për respektimin e konfidencialitetit dhe interesave të të gjitha palëve të procedurës.

Përfaqësuesit e mediave po ashtu iu bashkuan debatit duke ritheksuar rëndësinë e transparencës së shtuar por edhe të mbrojtjes së të dhënave për të gjithë qytetarët.

Konferenca u organizua gjatë Javës së lirisë së informimit me titullin “Tani edhe më lehtë”, që mbahet rreth 28 shtatorit – Dita ndërkombëtare për qasje universale në informim, dhe u mbështetë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.  

Fjalimi i Shefit të Misionit

(Siç është dhënë)

Kam kënaqësi të jem sot pjesëmarrës në këtë diskutim të rëndësishëm mbi zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nga gjyqësori dhe prokuroria dhe sfidat e këtyre institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre.

Janë tri fjalë të cilat të vinë në mendje e që janë ngushtë të lidhura me nocionin e qasjes në dokumente publike: transparenca, llogaridhënia dhe proaktiviteti.

Ne i përdorim këto terme shumë shpesh nëpër deklarata zyrtare sa që ato mund të tingëllojnë edhe si cliché. Megjithatë, është e pakontestueshme se kur institucionet publike janë të qasshme, transparente dhe llogaridhënëse, besimi i qytetarëve rritet. Kur ato nuk janë transparente, llogaridhënëse dhe proaktive, të gjithë e dimë se cilat do të jenë rezultatet, në çdo vend të botë. Shkalla e lartë e besimit shpije edhe në legjitimitet të shtuar në sytë e qytetarëve. Të gjitha këto janë të ndërlidhura.

Më lejoni të bëj një shqyrtim të shkurtër të këtyre tri termeve.

E para nga të gjitha, transparenca. Secili nga ne këtu, unë besoj, është i njoftuar me parimin e gjykimeve publike. Kjo nënkupton se të gjitha shqyrtimet kryesore gjyqësore, me disa përjashtime të kufizuara, duhet të jenë të hapura për publikun. Kjo lloj e qasjes në shqyrtime gjyqësore në Kosovë i mundëson publikut dhe mediave që të kuptojnë se si bëhet ndarja e drejtësisë nga gjykatat dhe nga gjyqësori. Në të vërtetë, ne nuk mund të presim që njerëzit të besojnë atë që nuk e shohin, apo që nuk e kuptojnë. Kjo po ashtu është edhe arsyeja pse gazetarët dhe pjesëtarët e publikut në përgjithësi në Kosovë kanë të drejtë të jenë të pranishëm nëpër të gjitha shqyrtimet kryesore gjyqësore dhe të shohin dhe të dëgjojnë me sytë dhe veshët e tyre se si ndahet drejtësia. Kjo po ashtu është esenciale për të siguruar që gjykimi i çdo të pandehuri i nënshtrohet shqyrtimit nga ana e publikut.

E lidhur me transparencën është llogaridhënia, dhe duke e pasur parasysh rëndësinë e sundimit të ligjit në çdo shoqëri demokratike, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të japin llogari për veprimet e veta dhe të jenë të hapura për shqyrtim nga publiku. Kjo nuk është diçka për t’ia pasur frikën.

Të jesh proaktiv në anën tjetër, nënkupton që institucionet publike duhet t’i publikojnë në mënyrë proaktive të gjitha dokumentet publike, pavarësisht asaj se a kërkohet apo jo qasja nga ndonjë person, ato duhet thjeshtë të vihen në dispozicion. Kjo në veçanti është e rëndësishme për institucionet gjyqësore. Të gjitha institucionet duhet të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik, përfshirë aktgjykimet e gjykimeve, në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, që shkon përtej ligjit për të cilin jemi duke diskutuar sot.

Një tjetër element të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe të mos e neglizhojmë është se e drejta për qasje në dokumente publike i takon secilit pa dallim. Nuk duhet të ketë diskriminim, qoftë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, për sa i përket se kush, cili pjesëtar i publikut, anëtar i shoqërisë civile, cili transmetues duhet të merr dokumente publike dhe cilët nuk duhet të marrin. Me fjalë të tjera, dhënia e dokumenteve publike nuk duhet të bëhet në mënyrë selektive. Mendoj se të gjithë ne e dimë rëndësinë e kësaj.

Po ashtu do të dëshiroja të shfrytëzoja rastin që këtë mëngjes t’i bëjë apel të gjitha institucioneve të sundimit të ligjit, që janë të përfaqësuara këtu dhe ato që nuk janë,  që të sigurojnë qasje proaktive në dokumente publike në të gjitha gjuhët zyrtare të Kosovës, për të gjithë personat dhe me kohë, në veçanti kur çështja ka të bëjë me raste juridike që ngritin interesim publik të madh. Publiku nuk duhet të pres për javë apo muaj, apo edhe më gjatë, për qasje. Edhe një herë, kjo është e vetmja mënyrë për rritjen e besimit të publikut në gjyqësorin.

Në fund, më lejoni të falënderoj Agjencinë për Informim dhe Privatësi për hapat e ndërmarrë nën udhëheqjen e Krenare Sogojeva-Dërmakut për të siguruar që Ligji për Qasje në Dokumente publike të zbatohet në plotësi, përfshirë përmes shqyrtimit të ankesave të qytetarëve në këtë drejtim.

Faleminderit dhe pres me padurim diskutimet interesante!