Lajme

EULEX-i mbështet Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2022

24 tetor 2022

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mbështetur Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2022, organizuar nga Presidenca e Kosovës më 22 dhe 23 tetor.

Edicioni i parë i Forumit ka mbledhur së bashku liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, influencues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit për të diskutuar lidhjen e rëndësishme midis grave, paqes dhe sigurisë.

Si pjesë e angazhimit të Misionit për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në luftën kundër dhunës seksuale, më 23 tetor, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, e moderoi panelin e diskutimit “Murtaja e dhunës ndaj grave gjatë luftërave dhe pasojat”.

Ky panel përfshiu një grup diskutuesish shumë të larmishëm dhe me përvojë, përkatësisht Përfaqësuesen e Përhershme të Finlandës në Këshillin e Evropës, Nina Nordstrom, Zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, ish-Raportuesen Speciale të OKB-së për Dhunën ndaj Grave, shkaqet dhe pasojat e saj, Dubravka Šimonovic, Profesoreshë e Asociuar për Çështjet Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Kolumbisë, Tanya Domi, ish-Drejtoreshë e Programit në OJQ-në “Të Drejtat e Grave”, Tijana Simiku LaValley dhe Drejtoresha Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli.

Shefi i EULEX-it hapi diskutimin duke e kujtuar rëndësinë e instrumenteve si Konventa e OKB-së për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur gjithashtu si Konventa e Stambollit dhe agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Wigemark theksoi se çështjet gjinore janë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian. “Ne kemi një Plan Veprimi Gjinor dhe dua të theksoj se në kuadër të kësaj kornize të BE-së është duke u bërë shumë punë; ka shumë projekte që janë nisur”, duke shtuar se si mund të bëhet më shumë duke i integruar më tej këto çështje.

Përfaqësuesja e Përhershme e Finlandës në Këshillin e Evropës, Nina Nordstrom, e filloi diskutimin duke e uruar Kosovën për përfshirjen e dispozitave të Konventës së Stambollit në Kushtetutën e saj. “Konventa e Stambollit është me të vërtetë një instrument ligjërisht detyrues, i cili është i rëndësishëm edhe nga pikëpamja e grave, paqes dhe sigurisë. Ne mund ta plotësojmë më shumë skeletin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë duke sjellë standarde ligjërisht të detyrueshme. Dhe kjo funksionon; ajo jep rezultate; shpëton jetën e grave dhe fëmijëve.”

Nordstrom theksoi më tej se, në përgjithësi, ka pasur një përmirësim real në zbatimin e konventës në ofrimin e shërbimeve të specializuara për viktimat, si mbështetja mjekësore, ekzaminimet mjeko-ligjore, ruajtja e ADN-së ose këshillimi.

Dubravka Shimonoviç kujtoi se si, gjatë kohës së saj si Raportuese Speciale e OKB-së Dhunën ndaj grave dhe shkaqet dhe pasojat e saj, ajo u përqendrua në mjetet dhe strategjitë e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gratë dhe paqen dhe sigurinë.

Ajo gjithashtu e paraqiti një raport tematik mbi dhunimin si shkelje e të drejtave të njeriut, si krim lufte dhe si shkelje e ligjit ndërkombëtar penal dhe humanitar, duke zhvilluar kështu një model për ndjekjen penale të përdhunimit.

“Gjatë asaj kohe, pashë se sa e rëndësishme është të kesh një zë. I jam drejtuar Këshillit të Sigurimit, Asamblesë së Përgjithshme, Këshillit të Drejtave të Njeriut, por ajo që kam parë gjithashtu është se një zë i vetëm nuk mjafton. Unë kam paraqitur rekomandime, raporte, por ato nuk janë ndjekur”, tha Shimonović , duke shtuar se si “Përveç një zëri, ne duhet të bashkohemi, duhet të bashkojmë forcat dhe duhet të gjejmë rekomandimet e duhura për të vazhduar me zbatimin e të gjitha atyre instrumenteve që i kemi krijuar”.

Profesoresha e Asociuar për Marrëdhëni Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Kolumbisë, Tanya Domi, komentoi mbi gjendjen aktuale shqetësuese të grave në mbarë botën: “Ekziston një tipar në rritje i kësaj shtypjeje në familje dhe gjithashtu ekziston një valë terrori kundër grave; ndërsa grupi i dytë i grave në rrezik janë LGBTQ”.

Sipas Domit, CEDAW nuk i parandalon mizoritë: “Një nga gjërat që shoh është një boshllëk në dimensionin e të drejtave të njeriut në parandalimin e mizorive. Dhe këtë e ngre në këtë kohë për shkak të terrorit që po bëhet”, theksoi Domi.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala theksoi se gratë vuajnë një barrë jo-proporcionale nga luftërat, veçanërisht sa i përket çështjes së dhunës ndaj tyre.

“Duke shërbyer si Koordinatore Nacionale për Dhunën në Familje, mendoj se është me vlerë që të ofrohet një perspektivë institucionale për ndërhyrjet në parandalimin dhe adresimin e dhunës ndaj grave në Kosovë dhe sfidave përpara në lidhje me këtë qëllim thelbësor të politikës publike”, tha Shala, duke shtuar se si "Është një fenomen i mirë-dokumentuar që komunitetet pas konfliktit përjetojnë shkallë më të lartë të dhunës në familje."

Shala gjithashtu theksoi se “Duke e njohur ashpërsinë e fenomenit të dhunës në familje dhe arsyet prapa saj, përpjekjet tona janë kanalizuar në mënyrë që të sigurohet që kornizat ligjore por edhe kulturore dhe mbështetëse të shërbimeve të forcohen me kapacitete për të ofruar një përgjigje efektive ndaj dhunës në familje dhe me fokus në viktimën”.

Duke folur për rastet e dhunës seksuale, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, deklaroi se pas luftës në Kosovë, rasteve të dhunës seksuale ndaj grave nuk iu kushtua vëmendja e duhur.

“Dhuna seksuale ndaj grave ka qenë një kohë të gjatë e heshtur në Kosovë dhe këto raste nuk janë diskutuar hapur për një kohë të gjatë. Kjo heshtje ka një ndërlidhje, edhe kjo heshtje ka lënë pasoja shumë të mëdhaja te ne si shoqëri. Tani, po flitet por është shumë e vështirë të flitet dhe të shohësh pas 23 vitesh gratë e dhunuara gjatë luftës dëshmojnë për atë që u ka ndodhur, datën, vendin e ngjarjes, edhe rrethanat ne te cilat ka ndodh dhunimi seksual ato ritraumatizohen”, tha Demolli.

Duke diskutuar për të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe mungesën e përfshirjes së grave në të gjitha pjesët e shoqërisë, ish-Drejtoresha e Programit në OJQ-në “Të Drejtat e Grave”, Tijana Simiku LaValley tha: “Ajo që më pëlqen të theksoj gjithmonë, në këto forume dhe kudo tjetër, është se ekziston një korrelacion i madh midis grave në negociata, dhunës në baza gjinore, grave në ekonomi dhe çështjeve sociale. Ekziston një korrelacion i madh midis këtyre faktorëve dhe komponentëve. Ne nuk mund të flasim për dhunën në baza gjinore dhe të mos punojmë në mënyrë të plotë edhe për këto gjëra të tjera”, tha Simiq LaValley, duke shtuar se "Ka pasur përparim, por ne kemi nevojë për më shumë gra në negociata, sepse, siç tregojnë kaq shumë prova empirike, nuk mund të ketë paqe pa përfshirjen e grave".

Në përfundim, të gjithë diskutuesit e panelit u pajtuan se ekziston një hendek i dukshëm ndërmjet konventave ndërkombëtare ekzistuese dhe realitetit në terren dhe se është e domosdoshme përfshirja e grave në tryezën ku merren vendimet dhe politikat lidhur me to dhe për to.

Për ta mbështetur më tej Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, EULEX-i e krijoi një instalacion kreativ për ta rritur ndërgjegjësimin e vajzave të reja dhe për t'i inkurajuar ato që të aspirojnë të bëhen lidere në sundimin e ligjit. Dhjetëra të rinj iu bashkuan nismës dhe realizuan foto të bukura.

Misioni gjithashtu iu bashkua fushatës së mediave sociale të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e paraqitur mesazhin e kreut të EULEX-it: "Viktimat e dhunës seksuale dhe të dhunës në baza gjinore në Kosovë janë kryesisht gratë dhe vajzat. Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë bën thirrje për parandalimin dhe mbrojtjen nga kjo dhunë, si dhe kompensimin efektiv për viktimat. Ndihma që po u jep EULEX-i institucioneve të Kosovës në luftën kundër dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore është një komponent kryesor i përkushtimit të Misionit tonë për zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe për ta promovuar barazinë gjinore”.

Linku për diskutimin e plotë: https://www.facebook.com/PresidencaRKS/videos/614158610495745