Lajme

Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik mbajti një ligjëratë për komunikimin gjatë krizave në “Kursin e NATO-s për Komunikime Strategjike”

28 nëntor 2022

Më 28 nëntor, Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, e mbajti një ligjëratë me temën “Komunikimi Strategjik për Misionet e Menaxhimit të Krizave të Organizatave Ndërkombëtare: EULEX në Kosovë”, si pjesë e “Kursit të NATO-s për Komunikime Strategjike” të akredituar nga NATO, i cili u mbajt nga data 21 nëntor deri më 2 dhjetor në Qendrën Helene të Trajnimeve për Operacionet Shumëkombëshe në Mbështetje të Paqes në Kilkis, Greqi, ku morën pjesë 40 pjesëmarrës nga vendet anëtare dhe vendet partnere të NATO-s.

Në ligjëratën e saj, Lachana tha se çdo organizatë është e ndjeshme ndaj krizave, duke e theksuar rëndësinë e përfshirjes së Zëdhënësit/es në ekipin për menaxhimin e krizave. Ajo foli për tre fazat e menaxhimit të krizave, përkatësisht para krizës, reagimi ndaj krizës dhe pas krizës, duke e theksuar rëndësinë e komunikimit transparent dhe dëgjimit aktiv. Përmes shembujve konkretë të asaj se "çfarë të bëni" dhe "çfarë të shmangni" në komunikimin gjatë krizave, Lachana u shpjegoi pjesëmarrësve se çfarë duhet të shmangin dhe çfarë duhet të bëjnë para, gjatë dhe pas një krize për ta mbrojtur integritetin dhe reputacionin e organizatës, si dhe për ta minimizuar ndikimin e asaj krize. Ligjërata u fokusua gjithashtu në atë se si mund të ndikojë negativisht dezinformimi në përpjekjet e një organizate për ta trajtuar një krizë, si dhe në temën e menaxhimit të reputacionit. Në fund, Lachana e preku temën e komunikimit në një mjedis krize duke e sjellë në pah përvojën e saj në EULEX.