Lajme

EULEX-i mbështetë fushatën informuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës për kandidate talente

05 dhjetor 2022

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke e mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) për promovimin e konkursit për 50 pozita të dedikuara vetëm për kandidate femra për zyrtare korrektuese kadete, në pajtim me Ligjin e Kosovës për Barazi Gjinore.

Prania e zyrtareve të kualifikuara është thelbësore për sigurimin e një sektori efektiv dhe llogaridhënës të sigurisë, me mundësi të përmbushjes më të mirë të nevojave të komuniteteve që i shërben.

Në bashkëpunim të ngushtë me SHKK-në, EULEX-i prodhoi një video që kishte për qëllim informimin e femrave të kualifikuara, ku shfaqet Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Sami Gashi, Udhëheqëse e Pavijonit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, Ardita Blakaj, dhe Kaltrina Dervisholli, kadete e re për zyrtare korrektuese.

Mbështetja e EULEX-it për fushatën e SHKK-së për punësim është në përputhje me zotimin e Misionit për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në institucionet e Kosovës, përfshirë këtu SHKK-në. Në vitin 2018, Njësia Korrektuese e EULEX-it së bashku me disa organizata joqeveritare të Kosovës, institucione vendore dhe organizata ndërkombëtare, i ndihmoi SHKK-së të themelojë “Shoqatën e grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, qëllimi i së cilës është avancimi i pozitës së grave brenda SHKK-së dhe ndihma për stafin femra për zhvillimin e karrierës dhe arritjes së potencialit të tyre të plotë.