Lajme

EULEX-i e mbështet lansimin e Protokollit për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale

05 dhjetor 2022

Më 5 dhjetor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, iu bashkua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Udhëheqëses së Zyrës së UN Women Kosovo, Vlora Tuzi Nushi, dhe Drejtoreshës Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, në lansimin e Protokollit të ri për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Ky Protokoll i përkufizon në mënyrë të qartë përgjegjësitë dhe obligimet e të gjitha institucioneve të Kosovës dhe ofruesve të shërbimeve që janë të përfshirë në trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës seksuale.

Në veçanti, Protokolli i sapolansuar parasheh reagim të standardizuar, gjithëpërfshirës dhe llogaridhënës nga ana e institucioneve përgjegjëse për identifikimin, mbrojtjen, trajtimin, dokumentimin, referimin, fuqizimin e qëndrueshëm, dhe ri-integrimin e personave të mbijetuar nga sulmet dhe dhuna seksuale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi se si puna profesionale dhe me përgjegjësi, përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për dhënien e drejtësisë, janë tipare të cilat i bëjnë institucionet serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatimin e plotë të detyrave dhe misionit që kanë.

“Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithë neve së bashku. Viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore, përkujdesja maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike”, tha Kurti.

Kryeministri rikujtoi si: “Dhuna ndaj grave dhe vajzave është çështje e sigurisë dhe mirëqenies edhe publike edhe sociale, e jo vetëm një çështje familjare dhe private. Eliminimi i saj është betejë që na takon te gjithëve”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pranoi se Protokolli “Është një nga dokumentet më të rëndësishme që është hartuar së fundmi nga Ministria e Drejtësisë, dhe që ka të bëjë me trajtimin e një forme kaq të rëndë të dhunës në baza gjinore, siç është dhunimi seksual.”

Haxhiu premtoi se: “Nuk do t’i rresht përpjekjet për të bërë progres në zvogëlimin e kësaj forme të dhunës në baza gjinore, si në drejtim të përditësimit të kuadrit ligjor dhe harmonizimit të tij me instrumentet ndërkombëtare, ashtu edhe në përmirësimin e monitorimit të zbatimit në praktikë të këtij kuadri ligjor, të politikave, e mjeteve të tilla siç është edhe ky Protokoll.”

Ministrja e Drejtësisë po ashtu falënderoi partnerët ndërkombëtarë, si EULEX-in, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe UN Women, për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar jo vetëm gjatë procesit të përgatitjes së Protokollit, por edhe për tërë mbështetjen e dhënë përgjatë viteve në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe për promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

EULEX-i mbështetë institucionet e Kosovës për avancimin e zbatimit të kërkesave që dalin nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit. Në kuadër të këtij zotimi, Misioni ka marrë pjesë në grupin punues të themeluar në mars 2022 nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e Protokollit.

Në fjalën e tij, Shefi i Misionit EULEX në Kosovë e përshëndeti miratimin e Protokollit, i cili e demonstron zotimin e institucioneve të Kosovës, duke filluar nga Ministria e Drejtësisë e cila e ka udhëhequr këtë proces, për ndarjen e drejtësisë dhe kompensimin e viktimave të këtyre krimeve.

“Kosova më në fund ka një Protokoll praktik, të unifikuar dhe të detajuar për udhëzimin e veprimeve dhe përgjegjësive të gjithë këtyre institucioneve të përfshira në trajtimin e veprave të dhunës seksuale dhe viktimave të tyre”, tha Wigemark, duke shtuar se: “Ky është rezultat i një procesi të gjatë përgjatë disa viteve me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm. Dhe unë ndjehem krenar për mbështetjen që ne, si Mision i BE-së për Sundimin e Ligjit në emër të Bashkimit Evropian, kemi pasur mundësinë t’i japim jo vetëm qeverisë së Kosovës, por edhe shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë.”

Wigemark, po ashtu, shpjegoi se si ky protokoll është reagim ndaj nevojave komplekse të viktimave: “Të gjithë e dimë se ekziston nevoja për të pasur një protokoll si ky. Natyra traumatike e dhunës seksuale, që përfshinë dhunimin, por edhe e llojeve të tjera të dhunës psikologjike është e qartë: viktimat shpesh kanë nevojë të kenë kujdes mjekësor të menjëhershëm, por atyre ju nevojitet edhe që të flasin me dikë, kanë nevojë të shpjegojnë se çka ju ka ndodhur, kurse këtu përfshihen shumë stigma”, tha ai, duke e theksuar rëndësinë e edukimit si masë parandaluese.  “Të mësosh vlerat e respektit, të gjinisë, të grave, të vajzave, të burrave dhe të djemve, është një hap drejt ndërtimit të kulturës ku dhuna seksuale është e papranueshme, jo vetëm për nga aspekti i ligjit, por edhe si çështje e parimit”, përfundoi Shefi i EULEX-it.

Misioni e ka mbështetur zbatimin e Konventës së Stambollit përmes një numri të madh të aktiviteteve, si fushatat sensibilizuese mbi rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale (Fushata “Ma thuaj me kohë” ), atë mbi keqtrajtimin psikologjik, dhe mbi lidhjen mes të drejtave pronësore dhe dhunës seksuale. Misioni, po ashtu, ka kontribuar në hartimin e dokumenteve programore, si Strategjia Kombëtare e re dhe Plani i Veprimit për Mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

Më tej, në korrik 2022, si pjesë e monitorimit të tij të thuktë të tërë zinxhirit të drejtësisë në Kosovë, EULEX-i e ka publikuar raportin e tij special monitorues me titull “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”.