Lajme

Trajnim i EULEX-it për mbështetje ndërmjet kolegëve për Shërbimin Korrektues të Kosovës

09 dhjetor 2022

Nga data 5 deri më 9 dhjetor, Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një sesion informues për 12 Drejtorë të Institucioneve Korrektuese të Kosovës dhe një trajnim katërditor për Mbështetje ndërmjet kolegëve për 25 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), i drejtuar nga ekspertet e Shërbimit Suedez të Burgjeve dhe atij Sprovues, Susanne Rodmar dhe Ulla Le Vau.

Trajnimi u fokusua në atë se si një sistem i mbështetjes ndërmjet kolegëve mund t’i zvogëlojë efektet e dëmshme psikologjike dhe fizike të shkaktuara nga ngjarjet traumatike - siç janë kërcënimet, dhuna ose vetë-lëndimi, të cilat mund të përjetohen nga personeli i SHKK-së gjatë punës me të burgosurit.

Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, theksoi: “Prania e udhëheqësve të trajnuar për mbështetje ndërmjet kolegëve brenda çdo institucioni të SHKK-së pritet të ndihmojë në ofrimin e mbështetjes emocionale për personelin në mënyrë që ata të mund t’i tejkalojnë më mirë pasojat negative të incidenteve kritike. Kjo mund ta forcojë qëndrueshmërinë e personelit dhe të krijojë një mjedis më të sigurt për të gjithë”.

Ekspertja suedeze Le Vau shpjegoi se një mekanizëm i mbështetjes ndërmjet kolegëve mund të parandalojë gjithashtu çrregullimet nga stresi post-traumatik: “Kur ndodh një incident dhe i prek rëndë pjesëtarët e personelit korrektues, mekanizmi i mbështetjes ndërmjet kolegëve i ul shanset për çrregullime nga stresi post-traumatik. Kjo është shumë e rëndësishme pasi askush nuk e di se si do të ndikohen ata”.

Ekspertja Rodmar vuri në dukje se si udhëheqësit e trajnuar për mbështetje ndërmjet kolegëve mund të ndihmojnë në kuptimin e rëndësisë së kujdesit më të mirë për njëri-tjetrin dhe afrimit me njëri-tjetrin kur paraqiten situata traumatike: “Gjithmonë ka reagime të ndryshme të shkaktuara nga ngjarje të vështira, kurse këto reagime nuk duhet të injorohen. Në vend të kësaj, ato duhet të trajtohen. Qëllimi ynë është që t’u mësojmë metoda dhe mjete të ndryshme, në mënyrë që ata të mund t’i ndihmojnë kolegët e tyre”, tha Rodmar. 

Trajnimi për mbështetje ndërmjet kolegëve është pjesë e përkushtimit të Njësisë Korrektuese të EULEX-it për ta mbështetur SHKK-në në angazhimet e tij për ta ofruar rehabilitimin e të burgosurve në një mjedis të qetë dhe të sigurt.