Lajme

EULEX-i dhe Akademia e Drejtësisë organizojnë tryezë të rrumbullakët për prokurorë dhe gjyqtarë për harmonizimin e amendamenteve të Kodit të Procedurës Penale me Kodin e Drejtësisë për të Mitur

07 shkurt 2023

Më 7 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Akademia e Drejtësisë organizuan një diskutim në tryezë të rrumbullakët për 24 prokurorë dhe gjyqtarë mbi harmonizimin e amendamenteve të reja të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) me dispozitat e veçanta të Kodit të Drejtësisë për të Mitur.

Qëllimi i diskutimit ishte sensibilizimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar në fushën e drejtësisë për të mitur në lidhje me nevojën e analizimit të çështjeve kundërthënëse që rrjedhin nga amandamentet e reja të KPP-së. Këto amandamente, që kanë të bëjnë me çështjet siç janë mbrojtja obligative, të drejtat e personave të dëmtuar apo viktimave, intervistat në procedurë paraprake, dhe dhënia e deklaratave, do të hyjnë në fuqi në muajin shkurt.

Në drejtim të këtyre ndryshimeve legjislative, diskutimi në tryezë të rrumbullakët u përqendrua në identifikimin e zgjidhjeve të mundshme praktike për aplikimin e dy ligjeve, çka ngriti pyetjen nëse Kodi i Drejtësisë për të Mitur duhet të konsiderohet si lex specialis dhe të ketë përparësi në rastet kur është në kundërshtim me KPP-në.

Zyrtarja e lartë për zhvillim dhe trajnime në Akademinë e Drejtësisë për programin e vazhdimësisë, Teuta Selmanaj, shpjegoi si tema e diskutimit është identifikuar në bazë të kërkesës specifike të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe falënderoi EULEX-in për mbështetjen e dhënë për krijimin e kësaj mundësie për diskutim.

Tryeza e rrumbullakët është mbajtur nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i cili ka qenë edhe anëtar i komisionit për hartimin e amandamenteve të KPP-së, dhe nga Prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shpëtim Peci.

Kryeprokurori Shala u përqendrua tek ndryshimet e reja në KPP në lidhje me të drejtat e viktimave, ku shpjegoi se si disa amandamente të reja bazohen në qasjen me viktimën në qendër, dhe fuqizimin e autoritetit të prokurorëve me qëllim të respektimit më të mirë të të drejtave të viktimave.

Prokurori Peci theksoi rëndësinë e paraqitjes së pikëpamjeve dhe përvojave mes përfaqësuesve të gjyqësorit të cilët në punët e tyre të përditshme do të hasin në sfida të ngritura nga mospërputhjet aktuale mes KPP-së dhe dispozitave të veçanta të Kodit të Drejtësisë për të Mitur. “Ekzistojnë shumë mospërputhshmëri që duhet të adresohen, qoftë përmes ndryshimit të dispozitave të veçanta të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, qoftë përmes nxjerrjes së udhëzimeve administrative për qartësimin e aplikimit të ligjit,” tha Peci.

Diskutimi në tryezë të rrumbullakët ishte pjesë një sërë aktivitetesh të planifikuara në kuadër të projektit të EULEX-it “Fuqizimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë gjatë hetimeve penale”. Gjatë dhjetorit, në kuadër të po këtij projekti, Misioni organizoi një trajnim për avokatë  mbi amandamentet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.