Lajme

Në udhëheqje të mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike – Ju prezantojmë Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku

08 mars 2023

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne vëmë në qendër të vëmendjes Krenare Sogojeva-Dërmaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Pozita e saj, si një grua udhëheqëse në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, është shembull i rezultateve që vijnë nga puna e pandalshme, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për një karrierë të zgjedhur. Dhe jo vetëm kaq. Sipas Komisioneres, arritja e saj profesionale është testament se gratë mund t’i arrijnë të gjitha qëllimet që i përcaktojnë.

Krenarja na mirëpret në zyrën e saj dhe ne fillojmë menjëherë bisedën për rolin e saj si Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e cila para së gjithash është një pozitë shumë e pavarur që i jep Komisioneres lirinë për të përmbushur të gjitha obligimet dhe kërkesat ligjore të punës: “Kjo lloj pavarësie më lejon mua, si Komisionere, të krijoj standarde solide dhe të përmbushi vizionin tim për këtë agjenci,” thekson ajo.

“Përveç pavarësisë institucionale, vetë natyra e punës, të qenit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike, mund të ju përmbushë si personalisht ashtu edhe profesionalisht, sepse ju jeni në këtë vend për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, shpjegon Krenarja. Ajo do të inkurajonte fuqimisht të gjitha gratë që janë të interesuara për një karrierë të tillë që të ndjekin këtë pozitë, pasi që, në epokën digjitale të sotme, mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore dhe rëndësia e saj së bashku me nevojën për t'i kushtuar vëmendje po rritet me shpejtësi.

Tranzicioni digjital dhe ekspozimi ndaj botës digjitale, siç janë mediat sociale, kanë prekur të gjithë. Sipas Komisioneres, në parim të gjithë pjesëtarët e shoqërisë janë në rrezik, përkatësisht privatësia dhe të dhënat e tyre personale janë të ekspozuara dhe mund të keqpërdoren lehtësisht: “Mediat sociale u mundësojnë njerëzve të ekspozohen ndaj llojeve të ndryshme të rreziqeve. Nëse flasim për gratë, dhe veçanërisht për vajzat e reja, rreziku është i dyfishtë. Platformat e mediave sociale ofrojnë mundësi që të rinjtë të postojnë për veten e tyre, duke qenë kështu në rrezik potencial për keqpërdorim të të dhënave personale, pasi që këto të dhëna shpesh shpërndahen, madje mund të përdoren edhe si një formë shantazhi. Ne kemi pasur raste të ngjashme që janë raportuar në Policinë e Kosovës, ku cenimi i të dhënave personale ka pasur elemente të veprës penale”, konfirmon Komisionerja.

Për këtë arsye, është po ashtu shumë e rëndësishme që publiku të jetë i informuar për të drejtat e tyre kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.

Kur shikon pozitën e Agjencisë para një viti e gjysmë, Krenarja me krenari thekson se është shënuar përparim domethënës: “Është bërë punë konkrete. Ka shumë më shumë ndërgjegjësim dhe pranim në shoqëri rreth kësaj çështjeje, si në institucionet publike ashtu edhe ato private; megjithatë, ne kemi ende shumë punë për të bërë si vend, në veçanti në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.”

Duke folur për punën e përditshme dhe të vazhdueshme që kërkohet për të materializuar vizionin e saj afatgjatë, Komisionerja thekson se shoqëria civile dhe mediat janë partnerë shumë të fortë të Agjencisë. “Bashkëpunimi i ngushtë dhe komunikimi me mediat na ndihmon që ne të shohim se ku janë mangësitë. Më duhet të them se kjo nuk është për shkak të mungesës së transparencës nga institucionet, por është thjeshtë çështje e ndërgjegjësimit. Roli dhe rëndësia e mediave të lira në një shoqëri demokratike është i pamohueshëm. Por është gjithashtu e rëndësishme që mediat të përmbushin pjesën e tyre kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë rast mediat janë dhe mund të jetë një katalizator për sensibilizim, duke qenë shembull në mesin e publikut se si duhet të mbrohen të dhënat personale”, thekson Krenarja.

Duke reflektuar në rrugën e saj profesionale për t'u bërë kjo që është sot si femër dhe si profesioniste, Krenarja thotë: “Do të doja shumë që pasardhëse në pozitën time të jetë një femër. Të kesh përgjegjësinë, autoritetin dhe mundësinë për të avokuar dhe mbrojtur të drejtat themelore dhe kushtetuese, si mbrojtja e të dhënave personale dhe qasja në dokumente publike, është fuqizim për një grua që bën një punë të mirë. Unë besoj se gratë kanë forcën dhe integritetin për të vazhduar përpara edhe kur gjithçka tjetër përreth nuk shkon siç duhet. Të kesh mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të njerëzve është satisfaksioni më i lartë personal dhe profesional.”

Sekreti i suksesit të saj është këmbëngulësia dhe mosdorëzimi deri në përmbushjen e ëndrrave të saj. “Unë thjesht nuk ndalem, nuk dekurajohem përgjatë rrugës. Të rinjtë unë do t’i kisha inkurajuar fuqishëm që të angazhoheshin në punë vullnetare. Si vajzë e re kam punuar shumë si vullnetare dhe mund t'ju garantoj se kjo ju formon jashtëzakonisht shumë si individ. Të bën njeri më të mirë”, thotë Krenarja.

Gjatë bisedës ajo e bën të qartë se për të arritur një sukses të tillë është e rëndësishme të zhvillohesh gradualisht si në aspektin akademik ashtu edhe në atë profesional. Krenarja ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe karriera e saj në sektorin e sundimit të ligjit mori hov pasi përfundoi studimet master në të drejtën evropiane në Universitetin e Parmës. Për më shumë se një dekadë ajo drejtoi departamentin ligjor në Ministrinë e Mbrojtjes, më pas kaloi në Zyrën e Kryeministrit, për të vazhduar me detyrën aktuale.

Si nënë e dy fëmijëve, Krenarja thotë se po arrin të mbajë një ekuilibër të shëndetshëm mes punës dhe jetës familjare thjesht duke qenë qind për qind e pranishme qoftë në punë apo në shtëpi. Motivimi dhe përmbushja e saj kryesore janë fëmijët e saj: “Familja ime, fëmijët e mi janë themeli i jetës sime dhe kështu e mbledh tërë energjinë time pozitive.”

Gjetja e ekuilibrit punë-jetë është temë diskutimi mbarëbotëror për shumë vite tashmë, veçanërisht për gratë që manovrojnë mes punës dhe familjes. Krenarja beson se gratë lidere duhet të krijojnë një mjedis pune të shëndetshëm ku si gratë ashtu edhe burrat të jenë dhe të ndihen të fuqizuar: “Nuk duhet të ketë nevojë për të zgjedhur mes punës dhe familjes. Ekuilibri është i arritshëm dhe unë vazhdimisht e promovoj atë në organizatën time.”

Në fund, ne e mbyllim bisedën me Krenaren duke kujtuar pamjen e saj të preferuar nga puna e saj si Komisionere: “Ishte një pasdite e qetë pune dhe mes zhurmës së gishtërinjve që shtypnin mbi tastierat e kompjuterëve dëgjova hapat e një vajze të vogël që vraponte në korridorin tonë për të përqafuar prindin e saj. Dhe ky është tingulli dhe pamja më e bukur që gjithmonë i mbaj me vete.”