Lajme

Shefi i EULEX-it dhe Ministrja e Kosovës për Drejtësi vizitojnë Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve – Shtëpia ime në Ferizaj

26 maj 2023

Më 26 maj, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, iu bashkua Ministres së Kosovës për Drejtësi, Albulena Haxhiu, në një vizitë informative në Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve – Shtëpia ime në Ferizaj, e organizuar nga partneri i Misionit OJQ Integra. 

Ministrja e Kosovës për Drejtësi, Albulena Haxhiu, ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e dhunës në baza gjinore dhe për mbështetjen e të mbijetuarve, duke potencuar se, në mënyrë që mekanizmi i parandalimit dhe reagimit të funksionojë me efektivitet, çdo element i zinxhirit të drejtësisë duhet të jetë plotësisht funksional, duke filluar nga policia deri te prokuroria, nga gjykatat e deri te rrjeti i strehimoreve.

Ministrja Haxhiu po ashtu shprehu mirënjohje për komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen e tyre të pandalshme në trajtimin e kësaj çështjeje me kaq rëndësi për tërë shoqërinë. 

Shefi i EULEX-it konfirmoi mbështetjen e Misionit për institucionet e Kosovës, duke rikujtuar se si çështja e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje është, fatkeqësisht, fenomen botëror, i cili kërkon qasje sistemike, ku viktima duhet të jetë në qendër.

Duke prezantuar historinë dhe punën e Qendrës, e cila ofron një vend të sigurt dhe mbështetje juridike dhe psikologjike për viktimat e dhunës në familje, drejtoresha e saj Sevdije Kasumi-Bunjaku dhe drejtoresha e Qendrës Liria në Gjilan Nazife Januzi folën mbi sfidat kryesore të këtyre strehimoreve nëpër Kosovë. 

Në veçanti, Kasumi-Bunjaku dhe Januzi diskutuan me Ministren Haxhiu dhe Wigemark për çështjen e financimit dhe të qëndrueshmërisë, nevojën për fuqizimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe Qendrat për mirëqenie sociale për përmirësimin e mekanizmit të zinxhirit referues, si dhe për rëndësinë e përgatitjes së trajnimeve specifike për trajtimin e të mbijetuarve krahas planprogramit për mbështetjen e rehabilitimit të kryerësve të veprave. 

Kjo vizitë shënon aktivitetin e pestë të sensibilizimit të organizuar nga projekti i mbështetur nga EULEX-i “Ngritja e kapaciteteve të shoqërisë civile në zbatim të standardeve të Konventës së Stambollit”, që ka për qëllim sensibilizimin mbi dhunën në familje. Projekti parasheh gjithsej 15 aktivitete sensibilizuese të organizuara nga OJQ Integra për strehimoret e viktimave, Qendrat për mirëqenie sociale dhe familjet e të mbijetuarve në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë.