Lajme

Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët 2017 (Cycle Kosovo for Children 2017)

05 qershor 2017

“Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët” e ka përfunduar turneun e saj të katërt vjetor rreth Kosovës, i cili u organizua nga çiklistë vendas dhe organizata bamirëse “Aksioni për nënat dhe fëmijët”, me përkrahjen e EULEX-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare dhe vendase. Çiklistët e përshkuan një distancë prej 500 km nëpër fshatrat dhe qytetet kryesore të Kosovës me 6000 metra ngjitje duke u nisur nga Prishtina.

Këtë vit, turneu bamirës me biçikleta deri më tani i ka grumbulluar mbi 7,000 euro përmes sponsorizimeve të përbashkëta, kontributeve individuale online dhe me anë të lotarisë gjatë ceremonisë së mbledhjes së fondeve në fund të këtij organizimi që është mbajtur në “De Rada” më 4 qershor në Prishtinë.

“Në vitin 2016 ne e kemi filluar procesin e bartjes së përgjegjësisë për organizimin e kësaj ngjarjeje tek çiklistët vendas me qëllim që ky organizim të vazhdojë edhe për shumë vite që do të vijnë. Mua më vjen mirë që turneu bamirës me biçikleta këtë vit ishte shumë i suksesshëm, kryesisht për shkak se ishte hera e parë që ai u organizua nga çiklistët vendas dhe organizata bamirëse “Aksioni për nënat dhe fëmijët”,” sqaron Mark Dixon, Shef i Njësisë Këshilluese të EULEX-it për Çështje të Policisë dhe Kufirit dhe njëri nga iniciatorët e organizimit “Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët”.

Fondet e mbledhura përmes turneut bamirës me biçikleta do të përdoren për të siguruar pajisje shumë të nevojshme për Njësinë e Kujdesit Intensiv të Neonatologjisë në Pejë. Këto pajisje janë të rëndësishme për matjen e shkallës së infeksioneve në gjakun e foshnjave, për të mundësuar terapinë e shpejtë me antibiotikë, kohëzgjatjen e duhur të terapisë dhe kontrollet dhe trajtimin vijues. Ky trajtim është tejet efikas pasi që rezultatet janë gati për 4 minuta pas marrjes së gjakut. Përdorimi i këtyre pajisjeve pritet ta përmirësojë efikasitetin e kujdesit të ofruar për foshnjat e porsalindura në Pejë.

“Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët” është organizim bamirësie i cili ka filluar në vitin 2014, në bashkëpunim me organizatën bamirëse “Aksioni për nënat dhe fëmijët”. Prej atëherë, një grup prej 20-40 çiklistëve marrin pjesë në turneun vjetore duke e përshkuar Kosovën me biçikleta dhe duke kaluar nëpër qytetet kryesore të vendit, ku përfshihen 500 km të kaluara dhe mbi 6,000 metra të ngjitjes. Ky turne ka vazhduar në vitet 2015 dhe 2016, me të njëjtin qëllim, do të thotë për mbledhjen e fondeve për Njësinë e Maternitetit në Spitalin Universitar në Prishtinë. Për çdo vit, ky organizim ka arritur të mbledh ndërmjet 10 dhe 18 mijë euro, përmes sponsorizimeve të përbashkëta, donacioneve individuale dhe gjatë ceremonisë së mbledhjes së fondeve në fund të këtij organizimi të mbajtur në Prishtinë. Paratë janë përdorë për blerjen e një Analizatori për Hematologji, foto-llambave UV për inkubatorët e foshnjave, dhe Monitorëve Kardiopulmonar, të cilat i janë dhuruar Njësisë së Maternitetit në Prishtinë. Përderisa pritet të dihet shuma përfundimtare nga organizimi i vitit 2017, vlerësohet se shuma e përgjithshme e këtyre organizimeve gjatë katër viteve të kaluara do të arrijë shifrën prej 50,000 euro.