Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerStafi i EULEX-it merr pjesë në fushatën për...

Stafi i EULEX-it merr pjesë në fushatën për dhurim të gjakut “Gjak i sigurt për të gjithë”

18 qershor

Si vazhdim i traditës shtatëvjeçare, më 17 qershor 2019 Njësia mjekësore e EULEX-it bashkë me Qendrën e Kosovës të Transfuzionit të Gjakut organizuan fushatë për dhurim të gjakut për të shënuar kështu “Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut”. Të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj kauze, rreth 40 pjesëtarë të stafit të EULEX-it shprehën solidarizimin njerëzor me anë të dhurimeve vullnetare të gjakut.

“Përmes kësaj mënyre ne tregojmë mbështetjen për Qendrën e Kosovës të Transfuzionit të Gjakut, për shkak të vështirësive të shkaktuara nga mungesa e gjakut, në veçanti për rastet emergjente”, tha shefja e Njësisë mjekësore të EULEX-it, Cristina Anghelescu.

Melania Gjocaj, menaxhere për marketing dhe informim në Qendrën e Kosovës të Transfuzionit të Gjakut, shprehu mirënjohje ndaj EULEX-it dhe theksoi: “EULEX-in e kemi dhurues të rregullt. Ne organizojmë bashkërisht fushata të dhurimit të gjakut nga dy herë në vit. Ne gjithnjë shohim interesim të madh për dhurime vullnetare të gjakut. Zakonisht numri i pjesëtarëve të stafit të EULEX-it që merr pjesë në këto fushata është i madh.”

EULEX-i falënderon stafin e vet për dhurimin vullnetar të gjakut dhe i inkurajon të gjithë në Kosovë dhe në mbarë botën që të përsërisin dhurimin e gjakut apo të bëhen dhurues të ri.
Në vitin 2004, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur datën 14 qershor si “Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut”. Në mbarë botën kjo javë i dedikohet fushatave sensibilizuese për rëndësinë e dhurimit të gjakut me moton “Gjak i sigurt për të gjithë”.
 

Prapa

Zyra për Informim