09 tetor 2019
Më 8 tetor, EULEX-i e prezantoi para Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, Zëvendës-kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili përfaqësonte Ministrinë e Drejtësisë dhe përfaqësuesve të Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE dhe Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, raportin e tretë me gjetjet nga monitorimi sistematik dhe tematik në gjyqësorin e Kosovës.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, u.d. Shefi i EULEX-it, Bernd Thran, tha se monitorimi i thuktë i rasteve të përzgjedhura ka dëshmuar të jetë një mjet efektiv për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë vendase me legjislacionin e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.
“Puna e këtij Misioni në këtë fushë është e trefishtë: së pari, ne i identifikojmë trendet dhe dukuritë që ndikojnë në funksionimin e gjyqësorit; së dyti, ne japin rekomandime të cilat janë të përfshira në raport dhe së treti, aty ku është e mundur, hartojmë dhe zbatojmë projekte në bazë të zbrazëtirave të identifkuara për adresimin e këtyre gjetjeve. Një shembull për këtë është seminari i organizuar kohëve të fundit për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve specialë dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit,” - tha Thran, duke shtuar se: “Është me rëndësi që EULEX-i vazhdon të punojë krah për krah me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit ngase ne e kemi synimin e njëjtë: ta bëjmë sistemin e drejtësisë të qasshëm për secilin dhe të besueshëm për qytetarët”.
Gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij raporti, Udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster tha se EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv nëpër seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Duke komentuar rreth ritmit të shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, Van Eck Koster theksoi se ai “në përgjithësi mbetet i ngadaltë”.
Ky raport, i cili është vazhdimësi e dy raporteve të ngjashme të publikuara më herët gjatë këtij viti nga ana e EULEX-it në kuadër të Iniciativës “Drejtësia 2020”, përfshinë gjithashtu rekomandime të përshtatura për trajtimin e çështjeve të identifikuara përmes monitorimit të thuktë nga EULEX-i.
“Ky është një raport i mirë. Sipas gjetjeve që janë përfshirë aty, shihet se ka progres”, tha Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, duke e theksuar rëndësinë e faktit se raporti po ashtu përfshinë rekomandime konkrete për mënyrën e trajtimit të sfidave që kanë mbetur.
Zëvendës-Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, e përshëndeti raportin, “i cili përfshinë një numër të rekomandimeve të drejtpërdrejta për avancimin e sistemit prokurorial të Kosovës.”
Në përmbyllje të prezantimit, u.d. Shefi i EULEX-it tha: “Shpresojmë që gjetjet dhe rekomandimet e përfshira në këtë raport do të jenë mjet i dobishëm në dispozicion të institucioneve të Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit, kryerjen e reformave dhe të jenë vazhdimësi e përpjekjeve të kaluara dhe aktuale për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.”
Njësia e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve e bën vlerësimin e funksionimit të gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërive procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë, rastet e profilit të lartë dhe rastet që më parë janë trajtuar nga EULEX-i. Ky Mision e monitoron tërë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivelin e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.