Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Gjetjet dhe rekomandimet për përmirësimin e sistemit të drejtësisë të Kosovës: Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit e prezanton Raportin e tij publik të parë për Monitorimin e Drejtësisë

19 tetor 2020

Më 19 tetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi Raportin e tij të parë publik të Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë. Ky raport e mbulon periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit  mars 2020 dhe përfshin gjetjet nga 107 raste dhe 312 seanca të monitoruara, si dhe rekomandime specifike për autoritetet e Kosovës për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, i theksoi dy veçori unike të punës së Misionit në monitorimin e drejtësisë:

“Së pari, Misioni gëzon qasje të plotë në sistemet gjyqësore, prokuroriale dhe policore të dhënë nga autoritetet e Kosovës në qershor 2018, kur EULEX-i i ndërpreu funksionet e tij ekzekutive në gjyqësor. Kjo na lejon ne që ta plotësojmë monitorimin e gjykimeve të kryer së bashku me organizatat tjera ndërkombëtare dhe organizatat e specializuara të shoqërisë civile me një shqyrtim dhe vlerësim “prapa skenës” të mënyrës se si trajtohen rastet specifike para dhe pas një seance gjyqësore. Së dyti, monitorimi nga ana e Misionit përfshin të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, si dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile.”

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Selim Selimi, foli lidhur me procesin e reformave për fuqizimin e sistemit të drejtësisë: “Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë Vetingun, janë tregues se Kosova nga reflektimi, po kalon në etapën e implementimit dhe se nuk do të rri duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë. Të dy këto procese janë pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial, për të ia rikthyer besimin qytetarëve në drejtësi. Pra, garantimi i pavarësisë dhe fuqizimi i sistemit gjyqësor e prokurorial është lufta jonë që do ta fitojmë̈.”

Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, i prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit, kryesorja nga të cilat është tendenca e vazhdueshme e më pak seancave joproduktive; disa përparime të bëra në ritmin e gjykimit të rasteve të profilit të lartë dhe një rekomandim për gjykatat për të siguruar që këto gjykime të mos vonohen pa nevojë; shumë gjykime kthehen për rigjykim; mbështetje e tepërt në paraburgimin si masë sigurie, shpesh pa arsyetim të mjaftueshëm; si dhe mospërputhjet në zbatimin e parimeve të pyetjeve të tërthorta dhe shpalljen e gjykimeve. Bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë duhet të përmirësohet në rastet kundër korrupsionit dhe dhunës në baza gjinore. Për më tepër, duhet të ketë një strategji afatgjate për t’i zgjidhur rastet e grumbulluara civile të lidhura me privatizimin në Dhomën e Posaçme të Gjykatës së Lartë dhe duhet të ndërmerren hapa për ta adresuar zgjatjen e tepruar të procedurave civile në lidhje me pronën dhe shtyrjet e shumta nga të cilat po vuajnë këto raste.

Pas prezantimit të raportit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha: “Raporti i EULEX-it për monitorimin e rasteve gjyqësore, është cilësuar si raport i cili kontribuon në zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor si dhe rritjen e efikasitetit të tij.”

Duke u fokusuar në rekomandimet e raportit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha: “Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson punën e bërë në finalizimin e Raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë, rekomandimet e dala do të adresohen, ndërsa për një pjesë të tyre veç se ka progres në realizim.”

Drejtori i Drejtorisë për Hetime të Policisë së Kosovës, Riza Shillova, tha: “Policia e Kosovës e mirëpret jashtëzakonisht shumë këtë raport. Mendojmë se është raport shumë i veçantë pasi që adreson të gjeturat dhe rekomandimet e sistemit të drejtësisë në mënyrë zingjirore, pra duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjyqësori. Në mesin e shumë prioriteteve, trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje do të jetë prioritet për ne.”

Ky takim u mbajt në Selinë e EULEX-it në Prishtinë dhe mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për sundimin e ligjit, mediave dhe organizatave ndërkombëtare aktive në fushën e drejtësisë, të cilët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.

Raportin mund ta gjeni online këtu: https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,11,1250

Disa fakte mund t’i gjeni këtu: https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,11,1250

Video incizimin e prezantimi mund ta gjeni këtu:
https://www.facebook.com/EULEX.KOSOVO/videos/1297112800622652/

Informata të përgjithshme: Njësia e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve e vlerëson funksionimin e gjyqësorit dhe policisë së Kosovës në lidhje me përputhshmërinë procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Ky vlerësim kryhet përmes monitorimit sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, duke i përfshirë rastet që më përpara i ka trajtuar EULEX-i deri në muajin qershor 2018 në kuadër të mandatit të kaluar ekzekutiv të tij. Monitorimi e përfshin të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale, përkatësisht policinë, prokurorinë dhe gjykatat, si dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile. Nga muaji janar 2019 - pasi përfundoi dorëzimi i lëndëve policore, prokuroriale dhe gjyqësore tek autoritetet e Kosovës në dhjetor 2018 - deri në shtator 2020, monitoruesit e drejtësisë të EULEX-it morën pjesë në 686 seanca, përfshirë ato për rastet e profilit të lartë, raste të krimeve të luftës, raste të dhunës në baza gjinore, krime të urrejtjes, raste të korrupsionit dhe raste që më përpara ishin trajtuar nga EULEX-i. Kjo rezultoi në katër raporte me gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës që synojnë adresimin e mangësive të identifikuara për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë.