13 janar 2022
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Akademia e Kosovës për Drejtësi organizuan bashkërisht një punëtori që kishte qëllim forcimin e kapaciteteve të prokurorëve nga njësitë e krimeve të të miturve dhe unifikimin e zbatimit të Kodit të Drejtësisë për të Mitur me 3 dhjetor 2021. Punëtoria, e cila u organizua falë një iniciative të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, mblodhi së bashku rreth 20 prokurorë nga të gjitha rajonet e Kosovës, të cilët diskutuan sfidat e krijimit të një praktike të përbashkët dhe një qasjeje të unifikuar për zbatimin e Kodit të ri të Drejtësisë për të Miturit, i cili u miratua në tetor 2018.
Nesrin Lushta, gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, tha: “Kodi i Drejtësisë për të Mitur është ndryshuar për t'i shërbyer mirëqenies së të miturve në procedurat penale. Megjithatë, kur bëhet fjalë për problemet, do të doja të hulumtoja mundësinë e gjetjes së një qasjeje uniforme për të reduktuar numrin e lëndëve të pazgjidhura, që unë e kuptoj se është i lartë. Sipas kodit të ri, nëse ka kaluar një periudhë e caktuar dhe autori, i cili kishte qenë i mitur në kohën e kryerjes së krimit, tashmë është madhor, çështja zakonisht hedhet poshtë. Kjo është një çështje që duhet të jetë prioritet.”
Prokurorët u pajtuan me këtë dhe shtuan se ata zotohen se do të veprojnë në interesin më të mirë të të miturve, si në rastet kur ata janë viktimë e krimit apo kur janë autor. U diskutua edhe për rëndësinë e pranisë së psikologut gjatë hetimeve kur i pandehuri është i mitur, si dhe prania e detyrueshme e përfaqësuesit ligjor, mungesa e të cilit përbën shkelje të Kodit të Procedurës Penale.
Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha: “Nevoja për të diskutuar një qasje të përbashkët dhe të unifikuar është thelbësore kur bëhet fjalë për zbatimin e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, sepse shumë prokurori përdorin praktika dhe qasje të ndryshme dhe kjo nuk duhet të jetë kështu.”
Prokurorët theksuan se ura e komunikimit ndërmjet prokurorive dhe Policisë së Kosovës është vendimtare në trajtimin e rasteve me të mitur.
“Prokurorët mbështeten te policia për përshpejtimin e procedurave të rasteve me të mitur. Bashkëpunimi me policinë është vendimtar në këto procese”, theksoi Meda-Petronela Grama, këshilltare nga EULEX-i e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës. Ajo shtoi se në muajt në vijim do të zhvillohet një punëtori e përbashkët mes dy palëve në kuadër të këtij projekti. Grama po ashtu theksoi se të gjitha çështjet e rëndësishme të diskutuara në këtë punëtori dhe aktivitetet e ardhshme të këtij projekti do të kulmojnë me konkluzione dhe rekomandime, të cilat do të shërbejnë si burim për prokuroritë në të gjitha regjionet e Kosovës.
Drejtori i Akademisë së Kosovës për Drejtësi, Enver Fejzullahu, tha: “Shpresoj që këto diskutime të sjellin ide produktive dhe konkluzione të qarta për këtë çështje të rëndësishme. Si Akademi e Drejtësisë, një ngritje e tillë e kapaciteteve është misioni dhe vizioni ynë.”
Kjo punëtori është pjesë e një serie të punëtorive që synojnë forcimin e kapaciteteve të prokurorëve për të ofruar reagime efektive të drejtësisë penale në përputhje me standardet e të drejtave të fëmijëve, duke siguruar zbatimin e praktikave më të mira në të gjitha rastet kur një i mitur është viktimë e krimit ose autor i krimit.