28 shkurt 2020
Prishtinë, 26 shkurt 2020 - Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, përfundoi dje një vizitë dyditore në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës. Gjatë vizitës, Wigemark pati takime me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakić, Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srđan Vulović, Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikola Kabašić, Udhëheqësin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Milan Bigović, Kryeprokurorin e Mitrovicës, Shyqiri Syla, Drejtoreshën e Policisë Rajonale Jugu në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci, dhe me Drejtorin e Policisë Rajonale Veri në Mitrovicë, Nenad Đurić.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e informoi Shefin e Misionit Wigemark për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Mitrovicë, si dhe për planet e kryetarit të komunës për zhvillimin ekonomik të komunës. Gjatë diskutimeve rreth rëndësisë së luftimit të krimit dhe korrupsionit, Shefi i EULEX-it tha se Misioni do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin e mirë midis EULEX-it dhe komunës.
Gjatë takimit me Kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakić, Shefi i Misionit Wigemark tha se EULEX-i do të vazhdojë të luajë rol mbështetës duke lehtësuar bashkëpunimin midis policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Misioni po ashtu është duke promovuar zbatimin e marrëveshjes për integrimin në drejtësi, si dhe marrëveshjeve të tjera të fasilituara nga BE-ja, siç për lirinë e lëvizjes dhe MIK. Shefi i EULEX-it Wigemark gjithashtu theksoi rolin stabilizues të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it e cila është e vendosur në Mitrovicë, duke përfshirë rolin e saj si reaguese e dytë e sigurisë në Kosovë. Kryetari Rakić tha se sigurimi i një sistemi funksional të drejtësisë dhe ruajtja e sigurisë është në interes të secilit dhe shprehu mirënjohje për praninë e vazhdueshme të EULEX-it, përfshirë në veriun e Kosovës.
Shefi i EULEX-it po ashtu u takua me Kryetarin e Zubin Potokut, Srđan Vulović, për të diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë në atë zonë dhe për të vlerësuar bashkëpunimin midis komunës dhe institucioneve përkatëse të sundimit të ligjit në nivelin lokal dhe qendror. Ata gjithashtu shkëmbyen pikëpamje për marrëdhëniet midis autoriteteve komunale dhe akterëve ndërkombëtarë në Kosovë, duke kërkuar mundësi për rritjen e nismave të përbashkëta me EULEX-in.
Gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Shefi i Misionit Wigemark u takua me Kryetarin e Gjykatës, Nikola Kabašić, dhe Udhëheqësin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Milan Bigović. Wigemark mori raportim të dorës së parë rreth gjendjes së zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë e fasilituar nga BE, të cilën EULEX-i e mbështetë drejtpërdrejt përmes këshillave dhe fasilitimeve nga ana e ekspertëve. Ai vlerësoi lartë përparimin mbresëlënës të bërë deri më tani dhe me homologët e tij u pajtua që të gjejnë mënyra se si EULEX-i mund të ndihmojë më tej për trajtimin e disa prej sfidave në këtë fushë të rëndësishme të sundimit të ligjit.
Wigemark vizitoi edhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës ku u takua me Kryeprokurorin Shyqiri Syla. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan rreth sfidave dhe rezultateve të arritura nga kjo prokurori, përfshirë këtu uljen e konsiderueshme të lëndëve të grumbulluara. Syla e informoi Shefin e Misionit Wigemark për procesin e integrimit të prokurorëve dhe stafit nga të gjitha komunitetet në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, duke përmendur se ai është shembull i integrimit të mirë dhe marrëdhënieve konstruktive ndërpersonale. Shefi i Misionit Wigemark theksoi rëndësinë e sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre, duke shtuar se EULEX-i do të vazhdojë të ndihmojë për zbatimin e marrëveshjes për integrimin e drejtësisë. Më tej, ai theksoi se si EULEX-i do të vazhdojë të mbështesë punën e Prokurorisë së Mitrovicës përmes monitorimit të thuktë të tërë zinxhirit të drejtësisë penale dhe gatishmërisë për të adresuar nevojat e kësaj prokurorie në mënyrën më të mirë të mundshme.
Më 21 shkurt, Wigemark vizitoi Stacionin Policor Jugu të Mitrovicës dhe u takua me Drejtoreshën Rajonale Afërdita Mikullovci dhe Zëvendësin e saj, Nysret Mehmeti. Ata diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit në rajonin e Mitrovicës dhe për bashkëpunimin e qëndrueshëm midis Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Drejtoresha Mikullovci e informoi Wigemark për aktivitetet komunikuese të Policisë së Kosovës nën komandën e saj, në veçanti për rininë.
Shefi i Misionit më pas vizitoi Stacionin Policor Veriu në Mitrovicë dhe u takua me Drejtorin Rajonal Nenad Đurić dhe Zëvendësin e tij, Besim Hoti. Đurić e informoi Wigemark për situatën në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar se si papunësia e lartë ndikon në situatën e përgjithshme të sigurisë dhe provokon krimet e vogël. Wigemark dhe Đurić shkëmbyen pikëpamje mbi punën dhe sfidat e Policisë së Kosovës në këtë zonë të Kosovës. Për më tepër, ata vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme të EULEX-it, duke u përqëndruar në rolin këshillues të EULEX-it me kolegët e Policisë së Kosovës në Drejtorinë Rajonale Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.
Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Mitrovicë dhe në veriun e Kosovës, Shefi i Misionit Wigemark udhëtoi dje për në pikëkalimin e përbashkët (PP) në Brnjak / Tabalije, ku pati rastin të takojë zyrtarë të pikëkalimeve nga të dyja anët dhe të shohë nga afër PP në veprim. Ai vizitoi edhe vendin ku duhet të vendoset PP i përhershëm i financuar nga BE-ja, siç është rënë dakord midis Beogradit dhe Prishtinës. I shoqëruar nga ekspertë të EULEX-it, ai gjithashtu u informua për zbatimin e marrëveshjes për MIK dhe protokollit teknik të miratuar në kuadër të dialogut të fasilituar nga BE-ja.