16 qershor 2015
Më 9 dhe 10 qershor, kryesuesi i Grupit për Implementimin e MIK në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Bernd Thran, së bashku me përfaqësuesit e palëve nga Prishtina dhe Beogradi dhe ekspertët e EULEX-it i vizituan lokacionet ku do të ndërtohen dy pikkalime (PK) të përkohshme të përbashkëta: Kapija në Vrapçë në pjesën jugore dhe Burim në pjesën veriore. Dy PK-të do të përdoren vetëm për trafikun lokal kufitar dhe kryesisht do të lehtësojnë nevojat e komunitetit vendës.
Në të dyja lokacionet, palët përkatëse i hulumtuan mundësitë për infrastrukturën e PK-ve të reja dhe diskutuan për hapat e mëtejmë, duke përfshirë eksproprijimin e tokës, infrastrukturën dhe afatet kohore të ndërtimit. Pas marrëveshjes për lokacionet e sakta dhe shtrirjen e PK-ve, fasilitatori nga BE-ja Bernd Thran, dhe përfaqësuesit e lartë nga Prishtina dhe Beogradi i nënshkruan planet përkatëse.
Të dyja vizitat u zhvilluan në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore dhe pozitive dhe z. Thran i përgëzoi të dyja palët për qasjen e tyre konstruktive: Unë jam shumë i lumtur që jam këtu me kërkesën e të dyja palëve. Përkushtimi i juaj për hapjen e më shumë pikkalimeve është vërtetë një shenjë e dukshme e angazhimit tuaj për tiu përgjigjur nevojave të popullatës vendëse dhe për normalizimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Këtë e përmban thelbi i Dialogut dhe Marrëveshja e tij për MIK, e cila po dëshmohet si një tregim i suksesshëm, konkludoi Bernd Thran. Pritet që të dyja PK-të do tenë operacionale më së fundi në vitin 1016.
Ky zhvillim është edhe një hap tjetër përpara në implementimin e Marrëveshjes për MIK, me të cilën janë paraparë dy PK të reja të përkohshme në një lokacion gjeografik të njëjtë. Në dhjetor 2012, katër PK-të e para të përkohshme të MIK u bën operacionale, të pasuara nga dy të tjera nga fundi i shkurtit 2013. Përmes një përafrimi dhe bashkëpunimi ditor, procedurat e kontrollimit janë përmirësuar dukshëm dhe si rezultat i kësaj, qarkullimi dhe kontrollimi i trafikut përmes PK-ve është bërë më i shpejtë. Si pjesë nga Marrëveshja për MIK, lehtësimi i kontrollit të trafikut po ashtu implementohet edhe gjatë festave dhe sezonit veror; kjo ndjeshëm i ka shkurtuar radhët e gjata të trafikut dhe kohën e pritjes së udhëtarëve. Veç kësaj, përmes një numri takimesh të rregullta në nivel lokal, rajonal dhe atë qendror, komunikimi i përgjithshëm në mes të Prishtinës dhe Beogradit është përmirësuar pa masë, duke nxitur shkëmbimin e informacionit, përfshirë këtu edhe të dhënat elektronike në fushën e doganës.
Gjithashtu, nga dhjetori 2013, është filluar me mbledhjen e të hyrave doganore në dy PK-të dhe shuma e tyre ka arritur në mbi 6 milion euro. Këto të hyra janë transferuar drejt në fondin për zhvillimin e pjesës veriore të Kosovës.
Marrëveshja për MIK-un realisht mund të konsiderohet si një sukses i madh i Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërsa procesi i implementimit vazhdon të zhvillohet me përmirësimin e bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të dyja palëve, në çdo nivel.