17 qershor 2015
Të mërkurën e kaluar, më 10 qershor, EULEX-i u bashkua me Qendrën e Avokimit për Kulturë Demokratike (Advocacy Center for Democratic Culture, ACDC), një OJQ vendase, për ta mbajtur seminarin e trajnimit për avokim për studentët universitarë të drejtësisë në Mitrovicën veriore. Seminari, i cili u mbajt në sallën kryesore të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, shërbeu si seancë hyrëse në trajnimin për avokim për tetëmbëdhjetë studentët, në mënyrë që ti përgatis ata për një varg gjykimesh të simuluara që do të mbahen në shtator.
Zëvendësja e shefit të Zyrës së EULEX-it për Shtyp dhe Informim Publik, Dragana Nikolic-Solomon, ishte moderatore e seminarit i cili u udhëhoq nga prokurori i EULEX-it, Andrew Carney, dhe kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons. Dusan Radakovic, drejtor ekzekutiv i ACDC, i cili kishte punuar nga afër me studentët në nismat brenda institucionit gjatë disa viteve të kaluara, po ashtu mori pjesë në ngjarje.
Andrew Carney dhe Malcolm Simmons ua prezantuan studentëve rregullat e avokimit. Andrew Carney e prezantoi rolin e prokurorit dhe e sqaroi mënyrën si prokurori i mbledhë dëshmitë dhe i paraqet ato para gjykatës. Një prokuror shpesh merret me numër të madh të dëshmive të ndryshme, siç janë rezultatet balistike, përgjimet e telefonatave, dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët dhe rezultatet e ADN-së, tha Andrew.
Andrew vazhdoi me prezantimin e rolit të avokatit mbrojtës dhe të disa taktikave unike që shfrytëzohen për ta diskredituar ndjekjen. Malcolm Simmons sqaroi rolin e gjyqtarëve, qasjen e tyre të pavarur, përbërjen e trupave gjykues dhe trajtimin e dëshmitarëve dhe të të pandehurve.
Pas trajnimit, studentët u angazhuan në diskutim i cili shtjelloi më tutje çështjet që ju interesonin atyre, përfshirë gjërat që mund ti presin nëse e vazhdojnë karrierën e tyre si gjyqtar, prokuror apo avokat mbrojtës. Ky grup i studentëve do të angazhohen me EULEX-in dhe ACDC-në gjatë disa muajve në vijim deri sa janë duke i përgatitur rolet e tyre për gjykimet e simuluara që janë planifikuar për muajin shtator.