Lajme

EULEX marks the EU Anti-trafficking day – Open your eyesEULEX-i shënon Ditën e BE-së Kundër Trafikimit - Hapini sytë

18 tetor 2021

Me rastin e 18 tetorit, Ditës së BE-së Kundër Trafikimit, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) zbatoi një fushatë të mediave sociale që kishte për qëllim sensibilizimin për nevojën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore. 

Trafikimi i qenieve njerëzore është krim i rëndë dhe shkelje e rëndë e të drejtave themelore, që rrezikon me mijëra individë çdo vit, në veçanti gra dhe fëmijë. Në Kosovë, gjatë periudhës 2015 deri 2020, numri i viktimave të identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore ishte 156, ku janë përfshirë 92 fëmijë. Sipas raportit të fundit GRETA, shumica dërmuese e viktimave janë femra dhe shumica me prejardhje nga Kosova. 

Për të fuqizuar reagimin e drejtësisë penale të Kosovës kundër trafikimit të njerëzve, EULEX-i është duke monitoruar një sërë rastesh të trafikimit të qenieve njerëzore në nivele të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, dhe ofron rekomandime për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Në të kaluarën, prokurorët e EULEX-it i kanë shqyrtuar shumicën e rasteve të rënda të krimit të organizuar përmes Prokurorisë Speciale të Kosovës. Misioni po ashtu ka organizuar trajnime për stafin e Policisë së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët, me fokus fuqizimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.  

Ekzistojnë forma të ndryshme të trafikimit të njerëzve. Nëse keni parë fëmijë duke kërkuar lëmoshë, gjithnjë ekziston mundësia se ata janë duke u shfrytëzuar. Mos i mbyllni sytë, rastin raportojeni në polici! 

Trafikimi i grave dhe vajzave është formë e dhunës kundër grave. Rekrutuesit shpesh janë persona të cilët viktimat e trafikimit të njerëzve i njohin dhe iu besojnë. Mos i mbyllni sytë! Raportojeni në polici!