08 korrik 2015
Temë e punëtorisë së lehtësuar nga EULEX-i, e cila u mbajt këtë javë, ishte krijimi i rrugës për zhvillimin e mëtejmë të një sistemi të besueshëm dhe gjithëpërfshirës të regjistrave civilë në Kosovë. Punëtoria u organizua për personelin e zyrave komunale të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) të Kosovës.
Përfituesit kryesorë të një regjistri efikas të tërë jetës së njerëzve janë qytetarët e Kosovës dhe institucionet administrative të shtetit. Një sistem i informatave i cili prodhon dhe grumbullon të dhëna lidhur me lindjen, vdekjen, gjendjen martesore dhe atë të shkurorëzimit të qytetarëve po ashtu ofron bazë për parametra të rëndësishëm lidhur me popullsinë e një vendi. Mungesa e të dhënave të tilla mund ti rrezikojë të drejtat e tyre të njeriut dhe privilegjet dhe të krijojë mundësi për keqpërdorim dhe eksploatim duke pasur ndikim në veçanti tek grupet e cenueshme siç janë fëmijët, gratë dhe pakicat.
Një sistem efikas i të dhënave të qytetarëve është thelbësor jo vetëm për menaxhimin e raporteve ndërmjet qytetarëve të zakonshëm dhe të shërbimeve qeveritare por po ashtu edhe për vendosjen e një sistemi të besueshëm zgjedhor dhe të listave të votuesve dhe për tu marrë me çështjet e rëndësishme siç është siguria kombëtare, arsimi, shëndetësia dhe tregtia, tha Peter Bach, Shef i Divizionit të Fuqizimit në EULEX i cili e mbështetë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ARC.
Z. Bach thotë që këto të dhëna publike paraqesin bazën për ndërtimin e një sistemi modern të administratës publike në secilin vend dhe janë thelbësore për punën e shërbimeve juridike, të zbatimit të ligjit dhe të administratës publike të qeverisë.
Marrëveshja për Regjistrat Civilë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është arritur në Bruksel në korrik 2011. Si rezultat, EULEX-i i ka certifikuar gjithsej 12, 391 kopje të regjistrave origjinalë civilë dhe të regjistrave fetarë të lindjes, të martesës dhe të vdekjes duke ia dorëzuar kopjet e certifikuara Agjencisë për Regjistrim Civil të Kosovës. Si fazë të dytë të marrëveshjes, EULEX-i është duke i dhënë ndihmë Kosovës lidhur me krijimin e një sistemi plotësisht të besueshëm të gjendjes civile duke zhvilluar vizita në komunat vendase, duke e filluar krijimin e një sistemi elektronik i cili përmban imazhet e skanuara të të gjithë regjistrave ekzistues të gjendjes civile dhe duke ndihmuar për integrimin e të gjitha burimeve të dokumenteve që janë në dispozicion në sistemin qendror të gjendjes civile.
Sipas Henri Clement, këshilltar i lartë në Departamentin e Fuqizimit i cili merret me regjistrat civilë, punëtoria është e përqendruar në shfrytëzimin e kopjeve të certifikuara të regjistrave civilë në nivel qendror dhe lokal, si edhe në përmirësimin e shkathtësive dhe të njohurisë praktike të nëpunësve vendas civilë që punojnë me ata regjistra.
Deri më tani, përpjekjet e përbashkëta të EULEX-it dhe të institucioneve të Kosovës po sjellin rezultate të rëndësishme. Pas punëtorisë, të gjithë pjesëmarrësit janë përgjigjur në mënyrë të favorshme për atë që kanë mundur të arrijnë dhe për dobitë e përfituara. Një pjesëmarrës tha që punëtoria e tillë vlerësohet shumë meqë ngre dhe sqaron aspekte të caktuara ligjore dhe nënligjore, si edhe bën unifikimin e procedurave sa ju përket sistemeve të regjistrimit të gjendjes civile. Unë e konsideroj që është shumë i suksesshëm në arritjen e asaj që synon ta arrijë.