Lajme

Njësia Korrektuese e EULEX-it trajnon zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kundër abuzimit me substanca

05 prill

Si pjesë e mbështetjes së tij për Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në adresimin e abuzimit të drogave në burg përmes zhvillimit të një strategjie kundër abuzimit me substanca, nga 25 mars deri më 5 prill 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka organizuar një seri sesionesh trajnuese dyditore kundër abuzimit me substanca për gjithsej 104 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Këto sesione trajnimi u mbajtën nga Eksperti i Sigurisë i Shërbimit Suedez të Burgjeve dhe Sprovues, Martin Wallin, së bashku me Monitoruesit Korrektues të EULEX-it, Albert Gegaj dhe Petri Ravander, dhe përfshinin një pjesë teorike dhe demonstrime praktike se si të kryhen teste të shpejta të drogës, dhe janë mbajtur në institucione korrektuese të ndryshme nëpër Kosovë.

“Përpjekjet kontrabandim të substancave të paligjshme në institucionet korrektuese si dhe abuzimi me substanca nga të burgosurit kanë pasoja serioze në efektivitetin e aktiviteteve rehabilituese dhe riintegruese”, shpjegon Monitori Korrektues i EULEX-it, Albert Gegaj, duke theksuar se Misioni aktualisht është duke e mbështetur SHKK-në në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirës për zbulimin, kontrollin dhe verifikimin e përdorimit të narkotikëve, në mënyrë që të mundësohet identifikimi, vlerësimi dhe motivimi i të gjithë të burgosurve në SHKK me varësi të abuzimit me substanca për trajtim dhe rehabilitim.

“Zbatimi i testeve për droga lidhur me përdorimin e substancave të paligjshme është një mjet shumë i nevojshëm, i cili pritet të krijojë një mjedis më të sigurt si për personelin ashtu edhe për të burgosurit”, thekson Eksperti i Sigurisë i Shërbimit Suedez të Burgjeve dhe Sprovues, Martin Wallin, duke i konfirmuar komentet shumë pozitive që i mori nga pjesëmarrësit.