12 nëntor 2015
EULEX-i është duke e përkrahur Policinë e Kosovës (PK) që ta përfshijë punën policore në bazë të inteligjencës (PPI) në repertorin e saj të metodave të punës policore. Tash kur PK-ja po e vazhdon zhvillimin e kapaciteteve të saj dhe po e shton cilësinë e shërbimeve të cilat ajo i ofron për komunitetet e Kosovës, ajo është duke e përvetësuar PPI-në për kryerjen e operacioneve të saj dhe për ti përforcuar mundësitë e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive kriminale.
Puna policore në bazë të inteligjencës është një metodë e dëshmuar, e cila i mundëson policisë që të marrë vendime në bazë të informacioneve dhe ti shfrytëzojë resurset e saj në mënyrë efektive për të zbuluar, parandaluar dhe luftuar krimin. Në thelbin e PPI-së qëndron mbledhja e të dhënave të papërpunuara, të cilat mund të bëhen bashkë dhe të analizohen për luftimin e formave të veprimtarive kriminale. Ajo bazohet në qasjen proaktive të luftimit të krimit përpara se ai të ndodh, në vend se të jetë reaktive pasi të ndodh krimi.
Janë tri grupe të aktorëve në kuadër të njësive të policisë që luajnë rol të rëndësishëm në PPI. Policët, të cilët krahas kryerjes së detyrave të përditshme të tyre, mbledhin informacione gjatë punës së tyre në terren. Ata e përdorin një formular standard për ti raportuar dhe regjistruar të dhënat; edhe ato të dhëna të cilat në kontekste të caktuara duken të parëndësishme shpesh herë mund të jenë të dobishme pasi të bëhen pjesë e një pamje më të madhe. Këto informata pastaj dërgohen njësitë e analizës të cilët i ndajnë të dhënat dhe përpiqen ti bashkojnë në një pasqyrë më të përgjithshme të veprimtarive dhe formave të cilat paraqiten në një rajon të caktuar. Pasi të jenë bashkuar informacionet dhe pasi të jetë krijuar produkti i inteligjencës, ato i kalohen vendim-marrësve të cilët e përdorin këtë produkt dhe vendosin se si do ta shfrytëzojnë atë për ta luftuar krimin e organizuar, vjedhjet e rënda, trafikimin me qenie njerëzore, korrupsionin, tregtinë me lëndë narkotike dhe krimet kibernetike.
Krahas vazhdimit të mentorimit, monitorimit dhe këshillimit të PK-së për zbatimin e PPI-së, EULEX-i do të fillojë planifikimet për formimin e një njësie të inteligjencës në kuadër të Komandës Rajonale për Veri të PK-së.
Më 3 nëntor, EULEX-i e ka organizuar seminarin e tij të parë nga disa sish duke ia prezantuar PK-së punën policore në bazë të inteligjencës. Mark Dixon, Këshilltar Mobil në Sektorin për Fuqizim, e ka mbajtur këtë trajnim për disa komandantë rajonalë të PK-së, ku i sqaroi përfitimet nga PPI-ja dhe e ka demonstruar se si mund të zbatohet kjo praktikë e punës në njësitë policore.
Më 11 nëntor, në objektet e EULEX-it në Mitrovicë, Këshilltarët Rajonalë të EULEX-it, Michael Sim dhe Damjan Potparic, e kanë përkrahur Komandantin Rajonal për Veri të PK-së që elementet themelore të PPI-së tua përcjellë komandantëve të stacioneve në pjesën veriore të Kosovës. Komandanti Rajonal i PK-së, Nenad Djuric, e udhëhoqi seminarin, ku e sqaroi rëndësinë e mbledhjes së informacioneve dhe i udhëzoi komandantët e stacioneve se si ti organizojnë dhe ti udhëheqin ekipet policore të tyre.
EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë përkrahje dhe udhëzime përgjatë kohës kur PK-ja do të ecën drejt zhvillimit të PPI-së në operacionet e saj.