Lajme

Diskutim mbi sundimin e ligjit në veri të Kosovës

09 mars 2016

Më 8 mars, EULEX-i në partneritet me Zyrën Ndërlidhëse të UNMIK-ut për Sundim të Ligjit në Mitrovicë, e organizoi një diskutim lidhur me sfidat e rivendosjes së sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë diskutim morën pjesë studentë, shoqëria civile, nëpunës publikë dhe mediat lokale.

Gjyqtarja e EULEX-it që punon në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Katja Dominik dhe Koordinatori i Zyrës Ndërlidhëse të UNMIK-ut për Sundim të Ligjit, Juan Carlos Galocha ishin në panel për këtë diskutim të organizuar. Atë e udhëhoqi zyrtari për komunikim në ZSHIP të EULEX-it, Dane Koruga.

Në fillim të diskutimit u dha një pasqyrë e përgjithshme për sistemin gjyqësor në veri, duke përfshirë një sqarim nga Zj. Dominik lidhur me përbërjen e gjyqtarëve në gjykata dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve, zbatuesve të ligjit dhe gjyqtarëve gjatë trajtimit dhe ndjekjes penale të ndonjë vepre. 

Zj. Dominik dhe z. Galocha vazhduan më pas duke i theksuar disa prej problemeve kryesore të një sistemi funksional të sundimit të ligjit, në veçanti mungesën e kapaciteteve të gjykatave për t’i ndjekur të gjitha veprat dhe vështirësitë në punësimin e kuadrit profesional. 

Përderisa EULEX-i mund të pretendojë se i ka arritur disa suksese në veri, veçanërisht për rastet e shumta që i ka ndjekur me një numër të kufizuar të kuadrit gjyqësor, Zj. Dominik dhe z. Galocha kërkuan që në mënyrë që të vazhdohet ky sukses, duhet të adresohen disa çështje të rëndësishme. Aty përfshihen krijimi i ambienteve adekuate për paraburgimin e të miturve, zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara dhe integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.

Z. Galocha i përmendi disa iniciativa të UNMIK-ut që i kontribuojnë përforcimit të sundimit të ligjit në veri dhe fuqizimit të aktorëve lokalë për luftimi e pavarur të këtyre çështjeve. Ai, në veçanti, foli shumë për takimin mujor për koordinim ndërmjet sundimit të ligjit dhe shoqërisë civile, një iniciativë që e drejton ai dhe e cila i mbledh agjencitë ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe aktorët tjerë përkatës ku bashkë i adresojnë problemet lokale për sundimin e ligjit në veri.

Ky panel jo vetëm që i adresoi sfidat kryesore për sundimin e ligjit në veri, por ç ‘është më e rëndësishmja ai edhe nxiti debatin jo vetëm në mes të agjencive ndërkombëtare, por edhe me një publik më të gjerë dhe me komunitetin vendas lidhur me mënyrën e luftimit të këtyre sfidave. EULEX-i do të vazhdojë të bashkëpunojë me UNMIK-un dhe aktorët tjerë për ta shtuar transparencën lidhur me punën e tij dhe ta përforcojë bashkëpunimin me komunitetet në të cilat vepron ai.