14 shtator 2017
Sot, Shefja e Misionit EULEX zj. Alexandra Papadopoulou mbajti fjalim në hapjen e punëtorisë me temën “Trajtimi i stigmës që i rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë”, e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë në Prishtinë.
“Ndonëse mandati i EULEX-it ka ndryshuar në masë të konsiderueshme gjatë dy rikonfigurimeve të fundit, Misioni vazhdon të jetë i përkushtuar për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të dhunës seksuale që ndërlidhen me konfliktin. Në këtë drejtim, Misioni po ashtu vazhdon me përpjekjet për t’iu ndihmuar homologëve kosovarë në zhvillimin e kapaciteteve relevante,” tha zj. Papadopoulou.
Zj. Papadopoulou foli edhe për pritjet e saj nga autoritetet e sapo zgjedhura të Kosovës, që ato “të ndërmarrin veprime të shpejta për operacionalizimin e plotë të Komisionit për verifikimin e statusit së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit, përfshirë për ndarjen e buxhetit të mjaftueshëm, me qëllim të sigurimit që të mbijetuarit të mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre për dëmshpërblime dhe benefite siç përcaktohet me ligj.”
“Sigurimi i mbështetjes së mjaftueshme për viktimat – qoftë në formë psikologjike, sociale apo ekonomike - së bashku me përpjekjet për dënimin e kryerësve të atyre krimeve janë dy shtyllat e përpjekjeve për tejkalimin e stigmës rreth dhunën seksuale. Puna dhe mbështetja e OJQ-ve në këtë proces të vazhdueshëm është e vlefshme dhe tejet e çmuar,” shtoi zj. Papadopoulou.
Punëtoria mblodhi organizata nga shoqëria civile, përfaqësues nga mediat dhe institucionet, me qëllimin e përbashkët të ngritjes së vetëdijesimit rreth dhunës seksuale që ndërlidhet me konfliktin dhe qasjes së shtuar të viktimave në drejtësi dhe programe të dëmshpërblimit.