Lajme

Takimi i fundit i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

21 nëntor 2018

PRISHTINË, 21.11.2018 – Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou sot në mjediset e EULEX-it ishte nikoqire e takimit të fundit të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL).
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, dhe Shefja e Zyrës së BE/PSBE në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Shefja e Misionit EULEX e prezantoi Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte, i cili i përfshinë aktivitetet e BPSL-së gjatë periudhës prej muajit korrik 2017 deri në qershor 2018 dhe e bën përcjelljen e progresit të bërë nga institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në fushat me fokus të miratuara, përkatësisht atë të  policisë, doganës, drejtësisë, dhe zbatimit të dialogut.

Papadopoulou e nënvizoi progresin e dukshëm të bërë nga homologët vendas për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke e theksuar rolin e rëndësishëm që BPSL-ja e ka luajtur përgjatë këtyre viteve si një mekanizëm efektiv për ta lehtësuar bashkërendimin në mes të aktorëve kryesorë vendas dhe të BE-së lidhur me çështjet më të rëndësishme, si dhe duke shërbyer si një katalizator për përmirësime në fushat më të rëndësishme. Duke i parë gjetjet e Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte, Shefja e Misionit EULEX përmendi performancën dhe kapacitetet e rritura të disa institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit si Policia e Kosovës, Këshillat Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, si dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, që në veçanti ka mundësuar tërheqjen graduale të mbështetjes së EULEX-it e në anën tjetër mbështetjen në rritje në mjetet alternative të ndihmës.

Shefja e Zyrës së BE/PSBE në Kosovë, Nataliya Apostolova, theksoi se Raporti i ri për Kosovës i cili do ta mbulojë periudhën shkurt 2018 deri janar 2019 është në proces të hartimit dhe shprehi optimizmin se pas analizimit të të gjitha kontributeve, BE-ja do të ketë mundësinë që prapë të prodhojë një raport tjetër gjithëpërfshirës i cili do t’i ndihmojë Kosovës më tej në rrugën e saj evropiane. Ajo e përgëzoi Ministrin Tahiri, dhe autoritetet e tjera të Kosovës të përfshira për përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e kritereve të Agjendës së Reformave Evropiane që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, duke theksuar se ajo që mbetet të bëhen në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave që kanë të bëjnë me suspendimin dhe shkarkimin e zyrtarëve publikë të akuzuar dhe të dënuar përkatësisht për korrupsion.

Ministri Tahiri, përveç masave legjislative, ka theksuar edhe rëndësinë e Agjendës Drejtësia 2020, që sipas tij, në masë të madhe komplementon iniciativën e filluar përmes procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ministri ka potencuar se Agjenda e Drejtësisë 2020 ka qenë e domosdoshme në qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, të identifikuara gjatë viteve të fundit brenda sistemit të drejtësisë, me fokus në sistemin gjyqësor e prokurorial, të cilat në mënyrë absolute do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor. “Një mekanizëm i këtillë koordinues do ndihmojë patjetër në qasje më të shpejtë, më moderne dhe më kualitative në qëllim të ngritjes së efikasitetit. Në këtë mënyrë, kjo agjendë do ndihmojë edhe procesin e Rishikimit Funksional, duke krijuar hapësirë për diskutime të temave të mëdha që kërkojnë hulumtim më të madh dhe diskutim më të detajuar brenda grupeve punuese", theksoi Ministri.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, e informoi Bordin rreth procesit të avancimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK), për procesin e rekrutimit të 10 prokurorëve të ri dhe punësimin e stafit mbështetës në të gjitha prokuroritë në Kosovës. Isufaj gjithashtu theksoi se KPK i ka adresuar të gjitha rekomandimet  e Raportit për Kosovën 2018, dhe se në sistemin prokurorial ka progres të matshëm. Kryesuesi i KPK-së po ashtu e informoi Bordin rreth zhvillimeve kryesore në lidhje me rekomandimet dhe konkluzionet e këtij raporti, dhe i informoi ata rreth progresit të Udhërrëfyesit për rastin e krimeve të luftës.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, e informoi Bordin lidhur me Vlerësimin e performancës së gjyqtarëve si një proces mjaft me rëndësi, ku janë vlerësuar të gjithë gjyqtarët që kanë aplikuar për ngritje në detyrë si rrjedhojë e konkursit të brendshëm të KGjK-së. Idrizi, theksoi se, KGjK-ja ka përfunduar procesin e intervistimit të gjyqtarëve të rinj dhe pritet emërimi i tyre. Gjithashtu, jemi në proces të zbatimit të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ku objektivi i këtij Projekti është të krijojmë bazë për një sistem të drejtësisë më efikas, transparent dhe llogaridhënës – përfundoi Idrizi.

Shefja e Misionit EULEX theksoi: “Pasi në qershorin që shkoi EULEX-i e përfundoi mandatin ekzekutiv të tij në sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe në mënyrë progresive është duke i ndryshuar përgjegjësitë e tij për ndërtimin e kapaciteteve në fushat tjera të rëndësishme të sundimit të ligjit, tani është koha dhe rendi që autoritetet e Kosovës ta marrin përsipër pronësinë e plotë mbi angazhimet për reforma që t’i bëjnë institucionet e tyre më të afta dhe më të qëndrueshme.”

“Në këtë drejtim, unë e përshëndes fillimin e iniciativës Drejtësia 2020 të udhëhequr nga Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me Kryesuesit e Këshillave Gjyqësor dhe Prokurorial” tha Papadopoulou, dhe i inkurajoi autoritetet e Kosovës që në kuadër të iniciativës Drejtësia 2020  ta vazhdojnë punën e mirë të bërë së bashku deri më tani nën ombrellën e BPPSL-së, veçanërisht në zbatimin e udhërrëfyesve të BPSL-së për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Panelit për Ankesave të Agjencisë Kosovare të Pronës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Krimeve të Luftës.

Për ta lexuar Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte ndiqeni linkun e mëposhtëm:
http://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/54630-CPR-2018-Sq.pdf 

 

Përmbledhja e shkurtër e Raportit të Kompaktit këtu:
https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/Shqip.pdf