14 tetor 2019
“Mos harro përse ke filluar,” shkruan në një citat të varur në një mur të stacionit policor në Mitrovicën jugore. Sa herë që Afërdita e shikon këtë fjalë të urtë të thjeshtë, por kuptimplote, asaj i kujtohen hapat e saj të parë në Shkollën Policore të Kosovës dhe përkushtimin e saj të vazhdueshëm për këtë shërbim. Si Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë jug, me më shumë se 500 punonjës nën komandën e saj, ajo shpesh kujton ditën kur për herë të parë veshi uniformën policore.
“I takoj gjeneratës së parë,” shpjegon ajo me krenari. “Iu bashkova Policisë së Kosovës në vitin 1999, dhe i takoj gjeneratës së parë të femrave police në Kosovë.” Edhe pas më shumë se njëzetë viteve, përvoja e të qenit një nga femrat e para të veshura me uniformë ende është e freskët në mendjen e saj.
E lindur dhe e rritur në Mitrovicë, Afërdita i mbanë në mend shumë mirë javët e saj të para në Policinë e Kosovës. Asaj i kujtohen vështirësitë që ajo dhe kolegët e saj kishin pasur dhe mirënjohjet e dhëna prej atyre që ishin në nevojë. “Ne filluam nga zero, njerëzit nuk kishin letërnjoftime, nuk kishte ndonjë bazë me të dhëna. Pavarësisht problemeve, ne kishim respektin e lartë të qytetarëve,” shpjegon ajo.
Afërdita, pioniere e vërtetë në Policinë e Kosovës, flet me modesti për rrugën mbresëlënëse të karrierës së saj. Jo vetëm që ishte një prej femrave të para të veshura me uniformë të policisë, por ajo po ashtu u bë edhe instruktorja e parë femër në Divizionin e menaxhimit dhe lidershipit, udhëheqëse e Divizionit të trajnimit bazik në Akademinë e Policisë së Kosovës në Vushtrri. “Nëse punoni me përkushtim të plotë, puna juaj do të njihet,” thotë Afërdita, e bindur se ky është çelësi i suksesit të saj. “Ju po ashtu duhet ta doni punën tuaj, ashtu siç bëjë edhe vet,” shton ajo.
Afërdita thekson se ajo asnjëherë nuk është ndjerë e lodhur, ngase është shumë e motivuar. “Edhe në kohërat më sfiduese, kur ekipi im punonte për më shumë se 17 orë në ditë, asnjëherë nuk e kam humbur përkushtimin. Njerëzit që i kam takuar dhe rrëfimet personale që i kam dëgjuar më kanë motivuar gjithnjë për të vazhduar më tutje,” thotë Aferdita.
Ajo po ashtu e çmon shumë ekipin e saj, familjen e saj të gjerë, siç e quan ajo. “Përmes punës sonë të përditshme, ne bëhemi pjesë e jetës së njëri-tjetrit, ne jemi familje e vërtetë,” thekson ajo. Afërdita është mirënjohëse që mund të bazohet tek ekipi i saj: “Nga fakti se mjedisi i punës kërkon që ne gjithnjë të jemi vigjilent, ne ndjejmë afërsi me njëri-tjetrin,” thotë ajo.
Afërdita po ashtu ndanë me kënaqësi përvojën e saj me gjeneratat e reja të zyrtarëve policorë, si dhe me anëtarët e Shoqatës së Femrave në Policinë e Kosovës (ShFPK), një iniciativë e UN Women që për qëllim ka fuqizimin e rolit të femrave në polici dhe promovimin e barazisë gjinore. Jo rastësisht, Afërdita është një prej themelueseve të kësaj shoqate. Ajo është e bindur se rrëfimi i përvojave të suksesit me koleget e saj në Policinë e Kosovës është diçka tejet e rëndësishme.
Përmes seminareve dhe trajnimeve, anëtarët e ShFPK i tregojnë përvojat e veta, shkëmbejnë pikëpamje për çështje të ndryshme që ndërlidhen me punën e tyre, dhe diskutojnë për sfidat të cilat i hasin. “Detyrë e jona është avancimi i roleve të kolegeve tona dhe zhvillimi profesional i tyre, fuqizimi i tyre dhe sensibilizimi për mundësitë që ekzistojnë,” thekson Afërdita, duke nënvizuar rëndësinë e shoqatës. “Unë ju them se edhe ato mund t’ia dalin, nëse unë ia kam dalë, sigurisht se edhe ato munden!” thekson Afërdita, duke shtuar se misioni i vërtetë i ShFPK është që ato të jenë shembull për gratë dhe vajzat në mbarë Kosovën. Afërdita jeton me këtë porosi çdo ditë dhe përpiqet të inkurajojë të tjerët që të realizojnë potencialin e plotë të tyre. Çka ju nevojitet për atë? “Përkushtim. Ky është çelësi i suksesit tonë,” përgjigjet ajo me besim. “Kur e ke vullnetin, ambicien dhe mbështetjen nga ekipi juaj, ju mund t’i arrini qëllimet tuaja.”
Meqë profesioni i saj është përplot sfida, dikush mund të pyet se çka është ajo që e mbanë atë të motivuar çdo ditë. “Respekti dhe mirënjohja nga ekipi im, familja, dhe çka është më e rëndësishme, nga komuniteti … ky është shpërblimi më i madh për mua,” thekson Afërdita. Ashtu si këshilla në murin e saj, Afërdita asnjëherë nuk ka harruar përse ka zgjedhur të bëhet zyrtare policore.