Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerKomunikata për Media  BreadCrumbTrailerFillon fushata sensibilizuese “Ma thuaj me...

Fillon fushata sensibilizuese “Ma thuaj me kohë” për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale

09 shtator 2019

Instituti i Mjekësisë Ligjore në partneritet me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in e nisën sot një fushatë sensibilizuese të quajtur “Ma thuaj me kohë” me diskutime në tryezë të rrumbullakët mes palëve përkatëse rreth rëndësisë së ruajtjes të provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.

Meqë statistikat e Institutit të Mjekësisë Ligjore tregojnë se shumica e viktimave të dhunës seksuale janë të moshës 11 deri 16 vjeçare, kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në mesin e fëmijëve të shkollave rreth rëndësisë së ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, si dhe për të dhënë informata rreth mënyrave të ruajtjes së provave të tilla që do të shërbejnë për sjelljen e kryerësve të veprave para drejtësisë.

“Ky është kontributi ynë direkt për t’i ndihmuar viktimat që ta arrijnë drejtësinë dhe ta thyejmë heshtjen që i rrethon ata që kanë diçka për të thënë dhe ata që duhet të dëgjojnë,” tha Dr. Bergita Curri, Specialiste e mjekësisë ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore mbetet i përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më cilësore për viktimat e dhunës seksuale dhe shtoi: “Kjo fushatë sensibilizuese është një përpjekje, përtej detyrës zyrtare, për t'i ndihmuar ata/ato. Po ashtu përmes këtij projekti duam ta nxisim diskutimin ndërinstitucional me qëllim përmirësimin e trajtimit të këtyre rasteve në të gjitha hallkat"​.

Duke folur për fushatën sensibilizuese, Tarja Formisto, Zëvendësdrejtoreshë e Institutit të Mjekësisë Ligjore theksoi se tani është koha për ngritjen e vetëdijes publike se çka është dhuna seksuale dhe për të dhënë informata rreth asaj se si të veprohet dhe si të raportohen rastet e dhunës seksuale. “Kjo fushatë ka të bëjë me këtë – këshilla të qarta dhe të thjeshta dhe mbështetje për secilin, në mënyrë që të gjithë ne t’i kryejmë detyrat tona për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga trauma dhe dhimbjet e keqtrajtimeve seksuale,” tha Formisto.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të diskutimit në tryezë të rrumbullakët, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës dhe Presidente e “Fondacionit Jahjaga”, u përqendrua tek të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: “Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Me kalimin e kohës, plagët e mijëra grave dhe burrave që janë dhunuar gjatë luftës nuk janë shëruar, shpirtrat e tyre nuk e kanë gjetur qetësinë. Duke e bartur barrën e një krimi të patreguar, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk kanë gjetur paqe me të kaluarën e tyre. Kjo është arsyeja pse të gjithë ne duhet të bashkohemi, të jemi të bashkuar dhe të krijojmë hapësirë dhe kushte të nevojshme që ata të flasin. Për një kohë shumë të gjatë janë bërë përpjekje që e vërteta e tyre të fshihet, të zhduket dhe të varroset. Ne duhet ta thyejmë heshtjen njëherë e përgjithmonë dhe ne mund ta arrijmë këtë vetëm duke ia mundësuar çdo të mbijetuari të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe çdo viktime të dhunës seksuale, që të ngrihet dhe ta tregojë përjetimin e vet.”

Fushata “Ma thuaj me kohë” parasheh organizimin e një sërë ligjëratash edukative për 32 shkolla fillore dhe të mesme nëpër Kosovë. Ligjëratat do të mbahen nga specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe nga përfaqësues të Policisë së Kosovës të cilët do të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijesimit në mesin e nxënësve të shkollave në lidhje me situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale dhe në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale. Fushata “Ma thuaj me kohë” do të zgjasë deri në mes të vitit 2020.

Prapa

Zyra për Informim