Lajme

EULEX-i i dhuroi pajisje të TI-së Agjencisë së Regjistrimit Civil

09 mars 2020

Më 9 mars, EULEX-i i dorëzoi 200 kompjuterë, laptopë dhe printerë Agjencisë së Regjistrimit Civil
(ARC) për t'i ndihmuar atyre që të ofrojnë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha, e falënderoi EULEX-in për këtë donacion dhe tha: "Ky është donacioni i tretë që po e marrim nga EULEX-i. Falë këtyre donacioneve, ne kemi arritur që ta përmirësojmë punën tonë, si dhe do t’i përmirësojmë më tej shërbimet që ua ofrojmë qytetarëve në tërë Kosovën, përfshirë edhe në veri".

Ky donacion është vazhdimësi e mbështetjes së EULEX-it për ARC-në. Në të kaluarën, EULEX-i e ka mbështetur Kosovën që ta krijojë një regjistër civil të besueshëm, si pjesë e një projekti për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës për librat e regjistrit civil. Gjatë procesit të certifikimit, janë certifikuar gjithsej 12,391 kopje të librave të gjendjes civile dhe u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Sot, EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje teknike për zbatimin e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të lehtësuar nga BE-ja.