Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerVideo-ligjëratë e Shefit të Misionit të BE-së...

Video-ligjëratë e Shefit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë për nxënës nga Gjakova

14 maj

Si pjesë e një serie ligjhëratash të quajtura “EU Teach-a-Day” (BE-ja mban mësim një ditë) nëpër shkolla në mbarë Kosovën, Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, e mbajti një video-konferencë me rreth 20 nxënës të shkollës së mesme “Hajdar Dushi” nga Gjakova më 13 maj 2020.

Kjo video-ligjëratë u ofroi nxënësve të shkollës “Hajdar Dushi” një mundësi që të mësojnë më shumë lidhur me punën e familjes së BE-së në Kosovë, si dhe ta njohin më mirë EULEX-in dhe Shefin e tij.
 
Wigemark foli lidhur me rrugëtimin e tij gjatë karierës si diplomat suedez dhe i BE-së, historinë e BE-së dhe në veçanti për Politikën e saj të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje, si dhe e përshkroi punën e përditshme të këtij Misioni duke dhënë shembuj konkret të përkrahjes së Kosovës nga EULEX-i, duke e përfshirë edhe atë gjatë kohës së epidemisë me koronavirus. Nxënësit u përfshinë në një diskutim të gjallë me Shefin e EULEX-it, duke u fokusuar në perspektivën evropiane të Kosovës, mundësitë për kosovarët e rinjë që të studiojnë dhe udhëtojnë në BE si dhe për gjendjen e tanishme në kuadër të sundimit të ligjit në Kosovë. 

Shefi i EULEX-it i dëgjoi mendimet dhe komentet e nxënësve lidhur me punën e EULEX-it në terren, dhe tha: “Dyert tona, qofshin ato të vërtetat apo virtuale, janë gjithmonë të hapura për rininë kosovare. E ardhmja e Kosovës është evropiane dhe e ardhmja e Kosovës është përfundimisht në duart e kosovarëve, e në veçanti të qytetarëve të rinj të zgjuar dhe energjik të saj”. Wigemark shtoi se gjeneratat e reja mund të luajnë një rol të madh në avokimin për ndryshime, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Ligjëratat “BE-ja mban mësim një ditë” janë organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës dhe me drejtoritë komunale të arsimit. Qëllimi i këtij projekti, i cili është zbatuar çdo vit nga viti 2009, është që ta sjellë BE-në më afër tek gjeneratat e reja të Kosovës. 

Prapa

Zyra për Informim