Lajme

Sigurimi i llogaridhënies është thelbësore për Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit: Mësoni më shumë rreth Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

10 dhjetor 2020

10 dhjetori shënon Ditën e të Drejtave të Njeriut. Me pandeminë COVID-19 ende të pranishme, këtë vit ne e njohim më shumë se kurrë rëndësinë e standardeve dhe parimeve të të drejtave të njeriut si udhërrëfyese themelore për drejtimin e kësaj kohe të vështirë. Kjo pandemi e rrezikshme ka krijuar sfida të papara për institucionet e sundimit të ligjit në mbarë botën, ashtu edhe në Kosovë. Derisa autoritetet kërkojnë mbrojtjen e të drejtave themelore për jetë dhe shëndet, ato duhet të arrijnë ekuilibër mes masave të ndërmarra për t’u marrë me pandeminë dhe pasojat e saj dhe ndikimit të tyre në të drejtat e tjera të njeriut dhe sundimin e ligjit. Autoritetet gjithashtu duhet të sigurojnë që askush të mos mbetet pas, në mënyrë që pandemia të mos i përkeqësojë pabarazitë dhe diskriminimin ekzistues. Të drejtat për gjykim të drejtë, për qasje në drejtësi dhe për një zgjidhje efektive janë thelbësore për ruajtjen e besimit tek institucionet dhe ato duhet të sigurohen në çdo kohë. 

Që nga përhapja e pandemisë në Kosovë, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka vazhduar me zbatimin e plotë të mandatit të tij përmes përshtatjes së punës dhe veprimtarive të tij me rrethanat ndryshuese, në pajtueshmëri të plotë me masat parandaluese për COVID-19. Në fillim të vitit 2021, EULEX-i do të publikojë gjetjet dhe rekomandimet e tij rreth reagimit të institucioneve të Kosovës për sundim të ligjit ndaj COVID-19. 

Sot po ashtu jepet rasti për theksimin e parimit kyç të të drejtave të njeriut: llogaridhënia. Si mision me funksione ekzekutive të caktuara të kufizuara, sigurimi i llogaridhënies është themelore për EULEX-in. Për të siguruar llogaridhënie të jashtme për të drejtat e njeriut, BE-ja ka themeluar Panelin për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (PShDNj), i cili bën shqyrtimin e ankesave të atyre që pohojnë se EULEX-i ua ka shkelur të drejtat e njeriut gjatë përmbushjes së mandatit të tij ekzekutiv. PShDNj është i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij dhe i kryen ato me paanshmëri dhe integritet. Në vendimet e tij , PShDNj zbaton të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.