Lajme

Seminari i OJQ-së për Sundimin e Ligjit dhe BE-në

21 maj 2015

Qendra për Paqe dhe Tolerancë në bashkërendim me EULEX-in e kanë organizuar një seminar në Info Qendrën e BE-së në pjesën veriore të Mitrovicës. Në këtë seminar u angazhuan shoqëria civile, studentët lokalë, si dhe pjesëtarët e bashkësisë ndërkombëtare dhe u fokusua në mandatin e EULEX-it dhe sundimin e ligjit në kuadër të Bashkimit Evropian. Zëvendës-shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik së EULEX-it, Dragana Nikolic-Solomon, dhe gjyqtarja e EULEX-it, Katja Dominik, e bënë nga një paraqitje të shkurtë të cilat nxitën më pas diskutime të gjalla në mesin e pjesëmarrësve në seminar. 

Dragana Nikolic-Solomon e paraqiti një përmbledhje të shkurtë të mandatit të EULEX-it dhe të rolit të tij në veri. Ajo i sqaroi objektivat e Misionit dhe disa prej keqkuptimeve lokale lidhur me punën e tij. 

Gjyqtarja Dominik foli gjerësisht për proceset gjyqësore, duke e sqaruar se çka nënkupton personalisht për të pavarësia e gjyqësorit, si dhe në kuadër të kontekstit më të gjerë të BE-së. Po ashtu, ajo u fokusua në qasjen në drejtësi, duke theksuar se gjykatat dhe prokuroritë funksionale, arrestimet e respektueshme dhe të drejtat e paraburgimit për të pandehurit, mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve, e përbëjnë sistemin funksional i cili ia mundëson gjyqtarit që ta bëjë një gjykim të drejtë. Gjyqtarja Dominik theksoi se dështimi i sundimit të ligjit krijon pasiguri në mesin e qytetarëve e cila në anën tjetër i bën ata të besojnë se në shoqëri dominon sundimi i pushtetit e jo sundimi i ligjit.

Pjesëmarrësit u angazhuan në një diskutim të gjallë lidhur me aktivitetet e Misionit në veri. Në mesin e rezultateve kryesore të seminarit ishin dëshira e komunitetit lokal për një angazhim publik më të madh sa i përket gjyqësisë në të ardhmen, si dhe angazhimi i një pjese më të gjerë të popullatës.