Lajme

Seminari për sundimin e ligjit dhe procedurën gjyqësore i organizuar në IBCM në veri të Mitrovicës

29 maj 2015

EULEX-i organizoi një seminar për sundimin e ligjit dhe procedurën gjyqësore për rreth tetëmbëdhjetë studentë të International Business College (IBCM) në pjesën veriore të Mitrovicës. Gjyqtari Malcolm Simmons, kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it udhëhoqi me pjesën e ligjërimit në këtë seminar, ndërsa Ian Bancroft, kordinator për pjesën veriore, dhe Dane Koruga, zyrtar për komunikim nga ZSHIP në veri, paraqitën një pasqyrë të mandatit të misionit si dhe lehtësuan diskutimin e zhvilluar nga studentët. 

Meqë IBCM i ka dy kampuse në Mitrovicë, njërin në pjesën veriore dhe tjetrin në pjesën jugore, serbët nga Kosova dhe nga vendet tjera i ndjekin ligjëratat në pjesën veriore, ndërsa shqiptarët e Kosovës marrin pjesë në aktivitetet e tyre akademike në ndërtesën që gjendet në pjesën jugore të qytetit. Megjithatë, ky bashkëbisedim nxiti një vëmendje të përqendruar nga një grup i gjerë i studentëve, grupi i pjesëmarrësve kishte në përbërje të vet studentë që vinin prej kampusit në veri dhe atij në jug.  Charlene Miller, zëvendës-drejtoreshë në IBCM, ishte personi kyç që zhvilloi një fushatë sensibilizuese për këtë seminar dhe organizimin e pjesëmarrjes për studentët e interesuar.  

Malcolm Simmons, shfrytëzoi përvojën e tij të gjerë në EULEX si një gjyqtar i EULEX-it dhe shpjegoi në hollësi për procedurën gjyqësore. Ai më pas shtjelloi rolet e ndara që i kanë prokurorët dhe detyrat e tyre, si dhe rolet e gjyqtarëve të cilët i dëgjojnë dhe i kryesojnë seancat. Ai e shpjegoi edhe rolin e tij si Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it, i cili kryen detyrën e mbikëqyrjes së ekipit të gjyqtarëve të EULEX-it që punon në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Ai shpjegoi se gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it janë të pavarur në marrjen e vendimeve të tyre dhe nuk mund të ndikohen politikisht. Gjykimet e udhëhequra nga gjyqtarët e EULEX-it kryesisht merren me krimet si, krime të luftës, krime të rënda dhe krim të organizuar dhe korrupsion. Rastet e tyre ngjallin vëmendjen e publikut. 

Studentët, ndonëse shumica ishin të fokusuar për administratë biznesi dhe menaxhim, ishin shumë të interesuar të mësojnë edhe për procedurën e cila po ashtu është me ndikim në karrierën e tyre dhe në mjedisin ku ata jetojnë. Njëra prej pyetjeve që parashtrohej më shpesh nga studentët ishte lidhur me perceptimin publik për EULEX-in dhe për aktivitetet që ndërmerr ai për të shtjelluar më shumë sistemin e punës së vet. Përgjigja ishte mjaft direkte, meqenëse seminari që po zhvillohej ishte vetë një lloj i fushatës sensibilizuese të cilën EULEX-i e lehtëson me qëllim të rritjes së transparencës dhe sigurimit të një njohurie më të madhe për procesin gjyqësor. Përveç zhvillimit të seminareve me studentë, nga universitetet publike si dhe private, EULEX-i angazhohet me shoqërinë civile dhe publikun e gjerë për t’i informuar ata për procedurën gjyqësore, qasjen në drejtësi, dhe mandatin e Misionit për rivendosjen e sundimit të ligjit në gjithë pjesën veriore të Kosovës.