Lajme

EULEX-i mbështetë fushatën informuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës

19 mars

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke e mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK) për përgatitjen dhe zbatimin e një fushate e cila do të transmetohet nëpër media dhe media sociale në mbarë Kosovën për informimin e publikut rreth punës së këtij institucioni. 

Njëmbëdhjetë stacione televizive dhe katërmbëdhjetë portale të mediave online do të transmetojnë një video ku paraqitet Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili flet rreth misionit të ShKK-së për lehtësimin e riintegrimit dhe kthimit të suksesshëm të të burgosurve nëpër komunitetet e tyre. 

“Të burgosurit nuk janë numra. ‘Ata’ mund të jenë ‘tuajit ’. Pas vuajtjes së dënimeve të tyre, ata kthehen nëpër shtëpitë dhe komunitetet e tyre. Ata janë fëmijët, të afërmit, miqtë, kolegët, partnerët apo fqinjët e dikujt. Ne jemi duke punuar për lehtësimin e riintegrimit dhe kthimit të tyre të suksesshëm në komunitetet që i takojnë.  Ne i respektojmë të drejtat themelore të tyre. Ky është misioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës,” thekson Nehat Thaçi. 

Pesë video të cilat portretizojnë punë të ndryshme të ShKK po ashtu do të shfaqen nëpër kanalet e mediave sociale të ShKK-së dhe EULEX-it. Këto video përqendrohen në:

Punën e ShKK gjatë COVID-19 

Punën e Qendrës Korrektuese në Lipjan

Si ShKK u ndihmon personave të dënuar për zhvillimin e shkathtësive të tyre 

Aktivitetet e njësive ekonomike 

Rolin e Njësisë për përcjelljen e të burgosurve 

Në pajtim me mandatin e tij, EULEX-i po ashtu i ndihmon ShKK-së për t’u përqendruar më shumë në rehabilitimin e të burgosurve dhe parandalimin e përsëritjes së veprave, si dhe për fuqizimin e kapaciteteve të tij për të luftuar ndërhyrjet e panevojshme dhe trajtimet preferenciale të të burgosurve. Misioni po ashtu mbështetë përpjekjet e ShKK-së për zhvillimin profesional të ekipit të menaxhmentit të lartë përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.