Lajme

Luftimi i falsifikimit të valutave: EULEX-i fasiliton takime të ekspertëve të EUROPOL-it me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Forenzike të Kosovës

15 korrik

Më 15 qershor, ekspertë të EUROPOL-it për luftimin e falsifikimit të euros mbajtën takime në Prishtinë me përfaqësues të Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit (NjBNZL), Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe përfaqësues të Agjencisë Forenzike të Kosovës për të diskutuar rreth mënyrës së mbështetjes që EUROPOL-i mund t’i ofrojë Kosovës në luftën kundër falsifikimit të valutave.

Takimet u fasilituan nga Njësia e EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (NBPN) dhe u mbajtën me iniciativë të EUROPOL-it si vijim i rasteve të fundit të konfiskimit të monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara të valutës euro në Kosovë.

Gjatë takimeve, specialistët e EUROPOL-it shprehëm gatishmërinë që të asistojnë Policinë e Kosovës në trajtimin e mëtejmë të rasteve të falsifikimit të valutave, duke përfshirë përmes mbështetjes financiare rreth hetimeve që janë në vazhdim, analizave forenzike të valutës euro të falsifikuar, inteligjencës për platformat e tregtisë ilegale, ekzaminimit teknik të lëndëve të para dhe pajisjeve të printimit që përdoren për falsifikim, dhe një pakoje mobile me mjete pune për mbështetje teknike në vend të ngjarjes dhe ekspertizë për çmontimin e makinave për printim e kartëmonedhave dhe shtypjen e monedhave në mënyrë ilegale.

NjBPN e EULEX-it do të vazhdojë të mbështesë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes fasilitimit të shkëmbimit të informatave me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Gjatë periudhës qershor 2018 deri 14 qershor 2021, në EULEX kanë mbërritur 502 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave mes EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës dhe 743 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pajtueshmëri me protokollin për bashkëpunim policor mes të dy entiteteve. Misioni po ashtu fasiliton shkëmbim të informatave mes Zyrave Qendrore Kombëtare të Interpolit dhe Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zbatim të Ligjit nën ombrellën e Zyrës Ndërlidhëse të Interpolit në UNMIK. Nga data 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021, stafi i EULEX-it që punojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Interpolit në UNMIK kanë pranuar 3076 kërkesa.