Lajme

EULEX-i organizoi një diskutim për atë se si Kosova mund të themelojë shërbime të specializuara për personat e mbijetuar nga dhuna seksuale

02 dhjetor 2021

Rëndësia e themelimit të shërbimeve të specializuara në Kosovë për personat e mbijetuar nga dhuna seksuale ishte fokusi i një konference të nivelit të lartë të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Forumi për Lidership dhe Diplomaci më 2 dhjetor në Prishtinë. Në konferencë morën pjesë Zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Redžepi, Shefi i EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Frank Power, Drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci Njomza Emini dhe ekspertë të njohur dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët folën për domosdoshmërinë që Kosova të harmonizojë plotësisht sistemin e saj me kërkesat e parapara nën nenin 25 të Konventës së Stambollit, i cili parasheh mbështetje për viktimat e dhunës seksuale. 

Duke folur për rëndësinë e Konventës së Stambollit, Zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Redžepi tha: “Besoj se kontributi ynë i madh në Kuvend ishte rreth Konventës së Stambollit dhe se ne kemi obligim si  institucione të zbatojmë ligjet për barazi gjinore, të miratuara nga Kuvendi. Megjithatë, kjo nuk varet vetëm nga ne, por nga i gjithë spektri i qeverisjes së mirë të këtij vendi dhe nga të gjitha institucionet. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të jemi së bashku në këtë proces, duke përfshirë edhe sektorët joqeveritarë dhe qeveritarë, si dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që në vazhdimësi kanë mbështetur të drejtat e grave këtu në Kosovë, sepse besoj se një nga prioritet e rëndësishme është që të gjithë ne të jemi të njëjtë dhe të barabartë, pa dallim etnie, feje, race, gjuhe dhe mbi të gjitha të barabartë pa dallim gjinie.”

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se Misioni po ndihmon nga afër institucionet e Kosovës në forcimin e mekanizmave për adresimin e rasteve të dhunës seksuale dhe në nxitjen e bashkëpunimit të shërbimeve referuese për viktimat e dhunës seksuale. “Përmes punës së Njësisë sonë për monitorimin e rasteve Misioni punon ngushtë me Policinë e Kosovës, prokurorët, zyrtarët e avokimit për viktimat, gjyqtarët si dhe shoqërinë civile për të mbështetur qasjen shumë-sektoriale të domosdoshme kur kemi të bëjmë me vepra të tilla”, tha Wigemark. 

Lidhur me hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për të harmonizuar plotësisht sistemin e saj me kërkesat e nenit 25 të Konventës së Stambollit, Shefi i EULEX-it tha se një hap është hartimi i udhëzuesve dhe protokollit kombëtar për punën e koordinuar të të gjithë ofruesve të shërbimeve dhe hapi tjetër është themelimi i Qendrave të krizave të dhunimit dhe/ose Qendrave të referimit të dhunës seksuale që mund të ofrojnë ekzaminim mjekësor dhe mjeko-ligjor, mbështetje traumatike dhe këshillim për viktimat e dhunës seksuale. 

Rëndësia e Konventës së Stambollit u theksua edhe nga Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power: “Konventa e Stambollit përfaqëson standardin ndërkombëtar të artë për atë që shtetet duhet të bëjnë në mënyrë që të trajtojnë këtë fenomen në mënyrë efektive, i cili vazhdon të jetë tejet i pranishëm në shoqëritë tona. Nëse duam të parandalojmë në mënyrë efektive dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, nuk mjafton thjesht të trajtojmë pasojat. Ne duhet të shkojmë më thellë dhe të trajtojmë barazinë gjinore në një nivel strukturor dhe kjo paraqet një sfidë për qeveritë, parlamentarët, institucionet shtetërore, median dhe shoqërinë civile. Por, kjo është shumë e rëndësishme edhe për të gjithë ne si individë në jetën e përditshme, dhe kjo nuk është detyrë vetëm për gratë, por gjithashtu paraqet sfidë edhe për burrat.” Power shtoi se përputhshmëria me Konventën nga institucionet e Kosovës do të vlerësohet nga komisioni GREVIO, një organ ekspert i pavarur përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit.

Shikoni diskutimin këtu (në gjuhën e folësve):