Lajme

EULEX-i dhe Instituti Kosovar për Drejtësi organizojnë një punëtori për 20 monitorues laikë

15 dhjetor 2021

Më 15 dhjetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) organizuan një punëtori mbi konceptet kyçe të monitorimit të procedurave gjyqësore dhe gjykimeve për 20 monitorues laikë të ri, të cilët priten të monitorojnë rreth 500 seanca penale në tërë Kosovën. Këta monitorues, të cilët nuk kanë përgatitje juridike, janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve, që përfshijnë gjininë, përkatësinë etnike, moshën, arsimimin dhe profesionin, dhe ata do të kenë mundësinë që të përjetojnë nga afër mënyrën e funksionimit të institucioneve kosovare të drejtësisë. 

Përmes projektit të përbashkët EULEX-IKD të quajtur “Ngritja e besimit në sistemin gjyqësor dhe avancimi i realizimit të të drejtave të njeriut përmes monitorimeve laike të gjykimeve – Faza 2” çdo monitorues laik do të vijojë nga 25 seanca. Në bazë të gjetjeve të monitoruesve laikë do të publikohet edhe një raport. 

Gjatë trajnimit, monitoruesit tematikë të EULEX-it dhanë një përshkrim të hollësishëm të aktiviteteve të tyre. EULEX-i u përfaqësua nga monitoruesi mobil i drejtësisë Oscar San Jose Ortiz, monitoruesja tematike për rastet e dhunës në baza gjinore Aylin Sozen Atil, monitoruesi tematik për rastet e krimeve nga urrejtja Svend Erik Hellner dhe monitoruesi tematik për rastet e korrupsionit Agron Kelmendi. Monitoruesit laikë pastaj u trajnuan nga menaxherja e projektit dhe redaktorja në IKD, Hyrije Mehmeti, mbi punën që ata do të bëjnë përgjatë këtyre dy muajve.

Përmes përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në monitorimin e gjykimeve, institucionet gjyqësore fuqizohen dhe si rezultat bëhen më të besueshme për qytetarët. Në këtë kuptim, projekti ka për qëllim ngritjen e llogaridhënies institucionale dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ideja është që qytetarëve të Kosovës t’iu jepet zë, mundësi për të parë dhe vlerësuar punën e sistemit të drejtësisë penale, organizimin e tij, ndërveprimin e akterëve kryesor dhe dhënien e drejtësisë nga institucionet kompetente. 

Në maj 2020, IKD publikoi raportin “Drejtësia në sytë e qytetarëve” si pjesë e fazës së parë të projektit të financuar nga EULEX-i, i cili u zbatua nga tetor 2019 deri mars 2020. Pas zbatimit të fazës së parë në 2019-2020, kjo punëtori ishte pjesë e fazës së dytë të projektit të monitorimit laikë të gjykimeve, të inicuar dhe financuar nga EULEX në vitin 2019, që kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. 

Gjatë muajve në vazhdim do të organizohen aktivitete të tjera ad-hoc të trajnimeve, të përgatitura për plotësimin e aktiviteteve të monitorimit dhe për të siguruar zbatimin e rrjedhshëm të projektit.  Si në vitin 2020, një raport final i vlerësimit do të përgatitet dhe prezantohet në mesin e vitit 2022 i cili do të jetë i bazuar në raportet e 20 monitoruesve laikë të gjykimeve.