Lajme

EULEX-i shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë

17 maj 2022

Data 17 maj shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) thekson se personat dhe aktivistët LGBTIQ+ vazhdimisht e më shumë janë bërë viktima të shprehjes së urrejtjes online dhe offline. Autoritetet e Kosovës, përfshirë ato në nivelin më të lartë, duhet të japin shembullin. Sulmet duhet të dënohen sa më fuqishëm. Kosova ka kornizë ligjore të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë, përfshirë edhe dispozita në kodin penal që e konsiderojnë motivin e urrejtjes në bazë të orientimit seksual krim apo rrethanë rënduese. Monitorimi i rasteve nga EULEX-i ka treguar progres të kufizuar te identifikimi, hetimi dhe gjykimi i veprave penale të motivuara nga urrejtja që shënjestrojnë personat LBGTIQ+.

Sot EULEX valëvitë flamurin e ylbertë në selinë në Prishtinë për të treguar mbështetje dhe për të bërë thirrje për barazi, drejtësi dhe përfshirje për të gjithë personat pavarësisht orientimit seksual, identitetit gjinor apo karakteristikave të seksit.