Lajme

EULEX-i priti në vizitë një grup të zyrtarëve policorë gjermanë nga Rajna Veriore - Vestfalia

23 qershor 2022

Më 22 dhe 23 qershor, një grup prej 14 zyrtarëve policorë gjermanë nga Rajna Veriore – Vestfalia, të cilët janë duke u përgatitur për studime master për shërbim të lartë, vizituan Misionin e Bashkimit Evropian të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX) si pjesë e një vizite studimore katërditore në Kosovë.

Në ditën e parë të vizitës në EULEX, ata vizituan shtabin kryesor të Misionit në Prishtinë dhe ndoqën një prezantim rreth mandatit të EULEX-it, ligjëruar nga Udhëheqësja e Zyrës për shtyp dhe informim publik dhe zëdhënëse Ioanna Lachana, një prezantim rreth aktiviteteve të shumta të kryera nga zyrtarët policorë, ligjëruar nga Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve Hubert van Eck Koster, si dhe një prezantim rreth mekanizmave operacionalë dhe proceset e punësimit të misionit civil më të madh ndonjëherë të Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje, ligjëruar nga Shefi i Kabinetit Matthias Zander dhe Udhëheqësja e Divizionit të burimeve njerëzore Anita Janassary.

Gjatë ditës së dytë të vizitës, zyrtarët policorë gjermanë ishin në Mitrovicë, ku vizituan Njësinë e Policisë së Specializuar të EULEX-it (NjPS), që është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, pjesë e një mekanizmi treshtersor të reaguesve të sigurisë. Gjatë vizitës, ata mësuan më shumë rreth punës së përditshme të 105 zyrtarëve policorë të NjPS-së të cilët janë të deleguar nga Polonia.