Lajme

Fjalimi i Shefit të Misionit gjatë ceremonisë së Donacionit nga ana e EULEX-it për Kooperativën Bujqësore Krusha

04 gusht

Është nder të jem këtu sot në praninë e dy prej grave shembullore më të shquara të Kosovës: Presidentes Vjosa Osmani dhe zonjës Fahrije Hoti.

Nëpërmjet vendosmërisë, punës së palodhur dhe qëndrueshmërisë ju të dyja keni thyer të gjitha pengesat që i kanë pamundësuar shumë grave që t’i realizojnë ambiciet dhe ëndrrat e tyre. Ju jeni prova e gjallë sesi gratë me vizion janë në gjendje që të ngriten nga hiri i persekutimit, ndarjes dhe një lufte brutale.

Kur të takova për herë të parë para gati një viti, Fahrije, ma the se sa shumë vizitorë vijnë në Krushë për të shijuar ajvarin tuaj të mrekullueshëm dhe ushqimet e tjera të prodhuara këtu – dhe për të bërë disa foto. Por pak vizitorë kthejnë përsëri, më kishe thënë. – Unë do vi, u ‘pata përgjigjur.

Të nesërmen, ishte një e diel, dhe unë i theva rregullat e pandemisë për të shkuar dhe për ta parë "Zgjoi"-n – filmin frymëzues për betejat tua si një nënë beqare, duke u përpjekur të ndërtoni një biznes të vogël së bashku me një grup grash me të njëjtin mendim.

Makina juaj e parë e përdorur u bë një simbol për fuqizimin tuaj si një afariste. Por, ajo u pa si një provokim nga meshkujt me pamje të prapambetur të paaftë për të pranuar që një grua po merrte përsipër jetën e saj dhe fatin e familjes së saj. Ju u dhatë atyre një leksion.

Sot , Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) po ju sjell një automjet pak më të madh – me shumë më pak kilometrazhë dhe ndryshk se vetura juaj e parë. Ky është një furgon me shumë hapësirë për të transportuar speca, lëndë të tjera të para dhe produkte të gatshme.

Me kërkesën tuaj, ne sollëm edhe disa kompjuterë, printera dhe laptopë të dobishëm për një organizatë në rritje si kjo e juaja.

Uroj që të kishim mundur të bënim më shumë dhe ju lutem konsideroni gjithmonë këtë Mision dhe stafin e tij si miqtë tuaj.

Pavarësisht se jeni një nga femrat më të njohura në Kosovë, ju keni mbetur modeste dhe e matur, Fahrije. Bashkimi Evropian ndihmoi në ndërtimin e kësaj fabrike mbresëlënëse dhe së fundmi ju u zgjodhët si “Evropianja e Vitit 2022” e Kosovës. Përmes "Zgjoit" ju jeni bërë një personazh i famshëm ndërkombëtar, të cilin e njohin mijëra njerëz.

Megjithatë, ju ndiqni një jetë modeste, duke udhëhequr organizatën tuaj duke punuar shumë nga herët në mëngjes deri vonë në mbrëmje.

Bashkimi Evropian duhet ta konsiderojë veten me fat që ka njerëz si ju dhe bashkëpunëtoret tuaja si qytetarë të ardhshëm të BE-së. Kosova mund të jetë krenare. Ju jeni një frymëzim për të gjithë ne.

Nuk do të përpiqem të flas për dhimbjen që keni përjetuar ju dhe familja juaj nga humbja e bashkëshortit tuaj të dashur. Apo për vuajtjet e familjeve të 243 burrave dhe djemve të fshatit të cilëve ju rrëmbye e ardhmja. Këto janë krime të papërshkrueshme për të cilat nuk mund të ketë pandëshkueshmëri.

Përderisa ka filluar vjelja verore e disa prej specave më të mirë në Kosovë, hijet e gjata të luftës po shtrihen sërish mbi kontinentin tonë. Duket se ne nuk po mund të mësojmë nga e kaluara! Prapëseprapë, le të kremtojmë me këto të mira që na i kanë ofruar gratë nga Krusha dhe ta shijojmë këtë ditë të bukur.

Dhe ju falëminderit që na mirëpritët të gjithëve këtu edhe një herë!