Lajme

Udhëheqësja e Zyrës së EULEX-it për Shtyp dhe Informim Publik prezanton punën e Misionit në mbështetjen e luftës së institucioneve të Kosovës kundër dhunës seksuale

31 gusht 2022

Më 31 gusht, Udhëheqësja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Ioanna Lachana, dha një intervistë për KTV-në ku prezantoi punën e EULEX-it në mbështetjen e luftës së institucioneve të Kosovës kundër dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore: një prioritet i Misionit.

Lachana foli për fushatën sensibilizuese ‘Ma thuaj me kohë’ që ka të bëjë me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, dhe e cila është përgatitur nga EULEX-i së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Kjo nënkupton se ne i inkurajojmë viktimat e dhunës seksuale që të mos i pastrojnë dhëmbët, të mos bëjnë dush, të mos i ndërrojnë rrobat, të mos pastrohen, krejt kjo për të mundësuar marrjen e provave. Ne duam të shohim sanksionime dhe ndëshkime efektive,” tha Lachana, duke shtuar: “Ne po ashtu besojmë se duhet të ketë trajnime më të specializuara për Policinë e Kosovës, prokuroritë, si dhe gjykatat, në mënyrë që ato të mund të zbatojnë qasje më të përqendruar tek viktima dhe të mund të mbledhin dhe vlerësojnë provat në mënyrën më të mirë të mundshme për viktimat.”

Lachana po ashtu iu referua raportit të monitorimit që Misioni ka publikuar së fundmi “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimeve nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, duke përmendur analizimin e 36 gjykimeve nga ana e Misionit. Prej tyre, 16 kanë qenë lirime nga akuzat dhe 20 me shpallje të fajësisë, ku  më shumë se gjysma prej tyre ishin nën kohëzgjatjen minimale të dënimeve të parapara me ligj. Lachana theksoi se dënimet e buta i dekurajojnë viktimat të raportojnë rastet.

Linku i intervistës (në shqip): https://www.koha.net/arberi/341574/kerkohet-fushate-vetedijesimi-per-nevojen-e-raportimit-te-rasteve-te-dhunes/