Lajme

Event i vizibilitetit ‘Mbështetje e mëtejme nga IPA për shërbimet e mjekësisë ligjore në Kosovë’

15 shtator

Fjalim
Shefi i Misionit EULEX Kosova, Lars-Gunnar Wigemark
Prishtinë, 15 shtator 2022  
(Kontrollo si është lexuar)


Ministre Haxhiu,
Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, z. Tomas Szunyog
Ushtruese e detyrës së drejtoreshës e IML-së, znj. Flutra Goga Bajrami  
Kolegë nga ekipi IPA 2

Përfaqësues të mediave, partnerë, zonja dhe zotërinj
 

  • Një Institut i Mjekësisë Ligjore profesional, efektiv dhe efikas është thelbësor për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut (siç e theksuan edhe parafolësit).  
  • Kjo është arsyeja pse Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX-i, që prej fillimit të mandatit të tij në fund të vitit 2008 e mbështetë Institutin e Mjekësisë Ligjore, fillimisht me mbështetjen e paraardhësve të tij, Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe Zyrën për personat e zhdukur dhe mjekësinë ligjore  
  • Përgjatë këtyre 13 viteve të fundit, puna jonë është përqendruar në veçanti në pasojat më të rënda të luftës së Kosovës dhe periudhës pas saj, që janë: personat e zhdukur dhe e drejta e familjarëve për të ditur fatin e më të dashurve të tyre.  
  • Kur EULEX-i filloi punën, numri i personave të zhdukur nga lufta e Kosovës ishte mbi 1900.  
  • Sot, 1621 persona ende janë të zhdukur. Ata janë nga të gjitha komunitetet: shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, turq, si dhe të tjerë. Ky numër përfshinë gra, burra, vajza, djem, fëmijë njëditësh dhe tremuajsh.  
  • Qysh prej vitit 2008, ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it të inkuadruar në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë duke e mbështetur procesin e gjetjes së vendndodhjes dhe të identifikimit të personave të zhdukur përmes kryerjes së aktiviteteve në teren siç janë vlerësimet e lokacioneve, gërmimet dhe zhvarrimet, si dhe ekzaminimet mjekoligjore në IML.  
  • Në të kaluarën, ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it e kanë mbështetur IML-në edhe në fusha të tjera të mjekësisë ligjore përmes kryerjes së ekzaminimeve klinike dhe autopsive.   
  • Që nga fillimi i mandatit tonë e deri më sot, EULEX-i ka kryer mbi 700 operacione në teren dhe ka identifikuar 332 persona të zhdukur.  
  • Por roli ynë nuk kufizohet në kryerjen e këtyre detyrave vetëm nga ana jonë. Ai gjithashtu përfshinë ngritjen e kapaciteteve vendore përmes monitorimeve, mentorimeve dhe këshillimeve të përditshme të stafit kosovar të Institutit në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.  
  • Ekspertët tanë mjekoligjorë punojnë krah për krah me homologët tanë nga IML.   
  • Ne krenohemi me partneritetin solid që e kemi ngritur me kolegët nga IML dhe homologët e tjerë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.  
  • Ky partneritet është i bazuar në besimin e ndërsjellë dhe synimi ynë i përbashkët është që familjarëve të personave të zhdukur të ua japim përgjigjet që u takojnë.   
  • Ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it janë pjesëmarrës në takime të ekipit analitik dhe të nën-grupeve punuese bashkë me delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, mekanizëm ky i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – ICRC, ku jepen dhe analizohen informatat kryesore rreth zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur.  
  • Që nga viti i kaluar, ekspertët e EULEX-it po ashtu janë duke punuar për rishikimin e mbetjeve mortore që gjenden në morgun e Prishtinës. Këto përpjekje janë të bashkërenduara nga një grup punues i udhëhequr nga IML dhe i bazuar në Strategjinë dhe planin e veprimit 2021-2023  të grupit punues.  
  • Pjesë e grupit punues janë stafi nga IML, si dhe ekspertët mjekoligjor të EULEX-it, përfaqësues nga Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Personat e Zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, si dhe nga IPA 2. Përveç këtyre, përfaqësues nga delegacioni i Serbisë ftohen si vëzhgues për rishikimin e rasteve të interesit të përbashkët.  
  • Synimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve mortore njerëzore që janë të ruajtura në morg si dhe i dosjeve përkatëse dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve.   
  • Plani i veprimit i GP parasheh mbulimin e aktiviteteve nga viti 2021 deri 2023 dhe puna është në proces e sipër. Rastet që ende gjenden në morg janë më të ndërlikuarat për t’u hetuar andaj ky proces kërkon vendosmëri, përkushtim dhe përputhshmëri me standardet më të larta.
  • Përfundimi i plotë i këtij rishikimi varet nga disa faktorë, përfshirë ndërlikueshmërinë e rasteve nën rishikim, praninë apo mungesën e mostrave të duhura të gjakut për referim për identifikim në bazë të ADN-së, si dhe kërkimin paralel në teren të rasteve të reja.  
  • EULEX-i veçse ka bërë një rishikim të këtyre mbetjeve mes viteve 2009 dhe 2012; megjithatë, duke i pasur parasysh zhvillimet e teknologjisë dhe procesimin e rasteve përgjatë viteve, ekziston mundësi konkrete që ky proces në vazhdim e sipër do të rezultojë me identifikime të reja.  Kemi shumë shpresë se kjo do të arrihet.  
  • Sot ne mund të llogarisim rezultatet e arritura deri më tani me kontributin e homologëve kosovarë dhe përpjekjet e orkestruara të familjes së BE-së në Kosovë. Mbështetja e dhënë përmes EULEX-it në njërën anë, dhe Zyrës së BE-së përmes projektit IPA në anën tjetër, është shembull i mirë i asaj që ne e quajnë “qasje e integruar” e BE-së.
  • Njëkohësisht, ne duhet t’i kemi parasysh ata që ende janë duke pritur për përgjigje dhe drejtësi në Kosovë, Serbi, dhe gjetiu, nënat, baballarët, bijtë, bijat, motrat, vëllezërit, nipërit, mbesat, gjyshërit dhe gjyshet.   
  • Si EULEX, puna jonë nuk ka përfunduar; ne kemi 1621 arsye për të vazhduar tutje.    
  • Andaj, ekspertët tanë do të vazhdojnë të punojnë bashkë me homologët tanë vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për identifikimin e varreve të mundshme klandestine dhe identifikimin e viktimave të ndërlidhura me luftën e Kosovës dhe periudhën pas saj.  
  • Në fund, me lejoni të theksoj po ashtu se partneriteti ynë me IML-në nuk kufizohet vetëm në punën mjekoligjore që ka të bëjë me personat e zhdukur.  
  • Ne po ashtu e mbështesin grupin punues për hartimin e Protokollit për veprat e dhunës seksuale. Sapo të jetë miratuar, ky protokoll  do të standardizojë shërbimet që duhet t’ju ofrohen viktimave të dhunës seksuale dhe do të lehtësojë bashkërendimin e të gjithë ofruesve të shërbimeve.  
  • Ky protokoll do të jetë hap themelor drejt harmonizimit të sistemit të Kosovës me ‘Konventën e Stambolit’, konventa më gjithëpërfshirëse e të drejtave të njeriut në lidhje me dhunën në baza gjinore, që përfshinë veprat e dhunës seksuale si dhunimi.
  • Në shtator 2020, institucionet e Kosovës ndërmorën një zotim formal për zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente dhe në korrik të këtij viti Misioni publikoi një raport për trajtimin e rasteve të dhunimeve në Kosovë duke i pasur parasysh këto zotime.  
  • Në atë raport, ne theksuam rëndësinë e marrjes me kohë dhe në mënyrë profesionale të provave mjekoligjore në këto raste, rol ky për të cilin Instituti i Mjekësisë Ligjore është i mandatuar të kryejë.  
  • ∙Në shtator të vitit 2019, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) Misioni po ashtu lansoi fushatën “Ma thuaj me kohë.”  
  • Kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin për të siguruarit e ruajtjes së provave biologjike pas ndodhjes së veprave të dhunës seksuale. Pas lansimit të kësaj fushateje, janë mbajtur një sërë ligjëratash nëpër shkolla fillore dhe të mesme nëpër Kosovë përgjatë periudhës shtator 2019 deri shkurt 2020 me qëllim të informimit të nxënësve në lidhje me këtë temë.
  • Qëllimi ynë është vazhdimi i mbështetjes së IML-së në kuadër të kornizës së protokollit të ardhshëm për trajtimin e viktimave të rasteve të dhunës seksual, si dhe sensibilizimi për këtë çështje. 
  • Rastet e fundit të dhunimeve e konfirmojnë atë se si trajtimi adekuat i rasteve të dhunës seksuale duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithë akterëve përkatës. Dhe ne jemi këtu për atë.  
 
FALEMINDERIT PËR VËMENDJEN